Ajeti: Reja na ka dhënë diçka ekstra

  • 04 June 2019 - 15:50
Ajeti: Reja na ka dhënë diçka ekstra

Në konferencë për shtyp, në krah të sulmuesit Cikalleshi, ishte mbrojtësi Arlind Ajeti, i cili gjithashtu e vuri theksin tek atmosfera pozitive e krijuar me pasuesin e Panuccit.

Shqipëria e Edy Rejas: Jemi duke u stërvitur me intensitet dhe më duket shumë mirë çdo gjë deri tani. Atmosfera mes stafit dhe mes lojtarësh ka qenë shumë e mirë, diçka që na ka munguar për një kohë të gjatë.

Problemet e mbrojtjes: Ne si lojtarë në çdo ndeshje mundohemi të japim maksimumin dhe pavarësisht trajnerit ne luajmë për kombin tonë. Nuk kam një përgjigje, nuk e di pse ka qenë kështu mbrojtja. Ka pasur ndeshje që nuk kemi luajtur mirë në mbrojtje apo në sulm, por janë të gjithë fajtorë dhe shpresoj që ndeshjet e ardhshme do të përmirësohemi. 

Forca e grupit: Të luajturit me zemër duke mbrojtur mirë është forca jonë, duke dhënë gjithçka kemi. Trajneri na ka dhënë diçka ekstra dhe do mundohemi t’i zbatojmë detyrat që na jep trajneri.

Në muajin qershor, Shqipëria do t’i zhvillojë dy ndeshje në kuadër të Grupit H të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Kuqezinjtë së pari do ta vizitojnë Islandën më 8 qershor, ndërsa vetëm tri ditë më vonë do ta presin Moldavinë në shtëpi. Ndeshja e dytë do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” pasi që “Arena Kombëtare” nuk është ende gati.

Kjo është hera e parë që Edy Reja po takohet me skuadrën e Shqipërisë, pasi që ai e mori pozitën e trajnerit vetëm më 17 prill të këtij viti, pas shkarkimit të bashkëkombësit të tij, Christian Panuccit.

(Kosova Sot Online)