Xhaka para përballjes me Ronaldon: Mezi po e pres ndeshjen

  • 05 June 2019 - 10:45
Xhaka para përballjes me Ronaldon: Mezi po e pres ndeshjen

Granit Xhaka e ka lënë prapa vetes disfatën zhgënjyese në finale të Ligës së Evropës me Arsenalin, pasi që tani dëshiron të tentojë ta fitojë titullin e Ligës së Kombeve me Zvicrën. Për ta arritur këtë, ai duhet të fitojë sonte kundër Portugalisë së Cristiano Ronaldos.

Mesfushori i Arsenalit ishte titullar për “Topçinjtë” në Baku të Azerbajxhanit, ku ata pësuan disfatë me rezultat 4:1 kundër Chelseat. Kjo disfatë bëri që ata ta humbin jo vetëm trofeun e Ligës së Evropës, por edhe një vend në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Kjo ishte një goditje e madhe për Arsenalin, që përfundoi vetëm një pikë prapa Tottenhamit në garën për një vend në top katërshe të Premierligës. Por, Xhaka tani e ka kthyer vëmendjen te shpresat për ta fituar trofeun me ekipin e tij kombëtar.

“Ishte zhgënjyese ta humbim titullin, dëshironim të fitonim dhe të garonim në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër, por kjo nuk funksionoi. Megjithatë, që kur kam ardhur këtu në Portugali, jam i përqendruar plotësisht te ekipi kombëtar”, ka thënë Xhaka.

“Ajo që ndodhi, ndodhi. Tani po shikojmë përpara dhe shpresoj ta fitoj një titull me Zvicrën. Mendoj se i pamë cilësitë e Eden Hazardit jo vetëm në atë finale, por edhe në ndeshjet e tjera. Ai është ndër më të mirët në botë por tani do të përballemi edhe me një tjetër lojtar të tillë [Ronaldo]”.

“Jemi këtu për të luajtur kundër më të mirëve dhe mezi po e presim, jo vetëm të takohemi me Ronaldon, por edhe të luajmë nesër”.

(Kosova Sot Online)