Vdes ish-presidenti i UEFA-s që e nisi Ligën e Kampionëve

  • 05 June 2019 - 10:48
Vdes ish-presidenti i UEFA-s që e nisi Ligën e Kampionëve

Lennart Johansson, i cili e nisi Ligën e Kampionëve gjatë periudhës 17-vjeçare si president i UEFA-s, ka vdekur në moshën 89-vjeçare, pasi kishte qenë i sëmurë për një periudhë të shkurtë.

Ai kishte qenë i zgjedhur për ta drejtuar UEFA-n nga viti 1990 në vitin 2007, kur u mposht në zgjedhjet presidenciale nga Michel Platini. Ai shërbeu edhe si zëvendëspresident i FIFA-s, mirëpo i humbi zgjedhjet presidenciale kundër Sepp Blatterit në vitin 1998.

Johansson e riformësoi futbollin evropian me disa ndryshime radikale, që e shndërruan Kupën Evropiane në Ligën e Kampionëve, në vitin 1992. Zgjerimi i kësaj gare bëri që edhe skuadrat jokampione të ligave vendore të marrin pjesë.

“Lennart Johansson ishte lideri më i madh i yni në futbollin ndërkombëtar, asnjë person tjetër suedez nuk ka arritur ta ketë një ndikim aq të madh në botën e futbollit”, ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Suedisë, Karl-Erik Nilsson.

Pas këtij lajmi, presidenti aktual i UEFA-s, Aleksander Ceferin, tha: “UEFA dhe futbolli evropian janë thellësisht të pikëlluar nga vdekja e Lennart Johansson. Unë dua t’i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjarët dhe të afërmit, si dhe Federatës së Futbollit të Suedisë, për humbjen e tyre”.

“Ai ishte një shërbyes besnik dhe i devotshëm i futbollit, e cili e vendosi pasionin në zemër të jetës së tij. Ai do të mbahet gjithmonë mend si një lider vizionar dhe si arkitekt i Ligës së Kampionëve. Bota e futbollit do të jetë gjithmonë falënderuese ndaj tij për gjithçka që ka bërë për këtë sport të bukur”.

Në shenjë respekti, një minutë heshtje do të mbahet në ndeshjet e Ligës së Kombeve të UEFA-s, kualifikimeve për EURO 2020 dhe ndeshjeve të Kombëtareve U-21, të cilat do të zhvillohen këtë javë. 

(Kosova Sot Online)