Ademi kujton ish-presidentin e ndjerë të UEFA-s: Ishte i pari që na ia hapi dyert e Evropës

  • 05 June 2019 - 11:51
Ademi kujton ish-presidentin e ndjerë të UEFA-s: Ishte i pari që na ia hapi dyert e Evropës

Pas lajmit për vdekjen e ish-presidentit të UEFA-s, Lennart Johanssonit, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka kujtuar atë përmes një letre ngushëllimi.

Lennart Johansson, i cili e nisi Ligën e Kampionëve gjatë periudhës 17-vjeçare si president i UEFA-s, ka vdekur në moshën 89-vjeçare, pasi kishte qenë i sëmurë për një periudhë të shkurtë.

“Me pikëllim të madh e mora lajmin për vdekjen e ish-zëvendëspresidentit të FIFA-s dhe ish-presidentit të UEFA-s, Lennart Johansson, andaj më lejoni që në emër të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut që i dha shumë futbollit evropian dhe atij botëror”, shkruan Ademi në letrën e publikuar në faqen e FFK-së.

“Lennart Johansson ka qenë shembull i frymëzimit e entuziazmit për punë si dhe një lider e vizionar i madh i futbollit”.

“Ne në Kosovë do ta kujtojmë atë gjithmonë si një mik të madh, i cili dha kontribut të çmuar për Federatën tonë në kohën kur ende nuk ishim anëtar të UEFA-s e FIFA-s, pasi ishte njeriu i parë nga drejtuesit e futbollit që ia hapi dyert drejtuesve të Federatës tonë për t’i dëgjuar brengat tona dhe na udhëzoi në rrugën e duhur drejt realizimit të objektivit”.

Ai kishte qenë i zgjedhur për ta drejtuar UEFA-n nga viti 1990 në vitin 2007, kur u mposht në zgjedhjet presidenciale nga Michel Platini. Ai shërbeu edhe si zëvendëspresident i FIFA-s, mirëpo i humbi zgjedhjet presidenciale kundër Sepp Blatterit në vitin 1998.

Johansson e riformësoi futbollin evropian me disa ndryshime radikale, që e shndërruan Kupën Evropiane në Ligën e Kampionëve, në vitin 1992. Zgjerimi i kësaj gare bëri që edhe skuadrat jokampione të ligave vendore të marrin pjesë.

Në shenjë respekti, një minutë heshtje do të mbahet në ndeshjet e Ligës së Kombeve të UEFA-s, kualifikimeve për EURO 2020 dhe ndeshjeve të Kombëtareve U-21, të cilat do të zhvillohen këtë javë. 

(Kosova Sot Online)