Fidan Aliti i Kosovës e paralajmëron Malin e Zi

  • 05 June 2019 - 13:33
Fidan Aliti i Kosovës e paralajmëron Malin e Zi

Mbrojtësi i ekipit kombëtar të Kosovës, Fidan Aliti, e ka paralajmëruar Kombëtaren e Malit të Zi para ndeshjes mes këtyre dy skuadrave në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Në konferencën për shtyp, të mbajtur sot në Prishtinë, morën pjesë Fidan Aliti dhe Samir Ujkani, të cilët sot i mbajtën stërvitjet e fundit në Kosovë dhe tani do të nisen për në Mal të Zi.

Kosova do të përballet me Malin e Zi në Podgoricë më 7 qershor, në ndeshjen e cila do të jetë e vlefshme për Grupin A të kualifikimeve në Kampionatin Evropian 2020. Aliti thotë se “Dardanët” po shkojnë në Podgoricë për të marrë fitore.

“Nuk jemi duke menduar për ndeshjen me Bullgarinë, e rëndësishme është ajo që po vjen me Malin e Zi, Nuk do të jetë e lehtë, është e vështirë. Ne kemi respekt për kundërshtarin, por i dimë kualitetet tona”, ka thënë Aliti.

“Kam plotësisht besim te djemtë tonë. Nëse mendojmë se nuk fitojmë kundër Malit të Zi, më mirë është të mos nisemi hiç andej. Besoj se kemi shumë shanse të mëdha për ta fituar ndeshjen. Prandaj po shkojmë aty”.

“Fakti që ndeshja do të luhet pa tifozë ka edhe anën pozitive. Komunikimi mes lojtarëve është më i lehtë sepse nuk ka zhurmë nga tifozët. Ana tjetër është se këtë ndeshje do ta luajmë jashtë dhe do të jetë pa tifozë. Nga kjo situatë duhet t’i marrim anët pozitive”.

Kosova mund të kualifikohet në EURO 2020 nëse e zë njërin nga dy vendet e para në Grupin A. Nëse dështon në këtë rrugë, Kosova e ka edhe një mundësi tjetër, përmes play-offs për kualifikime, ku e siguroi një vend në gjysmëfinale përmes triumfit në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve. 

(Kosova Sot Online)