Rrëfimi i gruas që e akuzoi Ronaldon tani i ka tërhequr akuzat

  • 05 June 2019 - 15:09
Rrëfimi i gruas që e akuzoi Ronaldon tani i ka tërhequr akuzat

Kathryn Mayorga e kishte akuzuar para tetë muajve Cristiano Ronaldon për përdhunim. Sot u bë e ditur se ajo e ka tërhequr prapa këtë akuzë. Por, çfarë pretendimesh kishte bërë ajo më parë? Më poshtë mund ta lexoni rrëfimin e saj, të publikuar nga Der Spiegel.

Ajo supozohej të qëndronte e padukshme, e heshtur deri në përjetësi. Përgjithmonë. Askush nuk do të mësonte asgjë për atë natë në Las Vegas në vitin 2009, veçanërisht jo versionin e saj për atë që ndodhi atë natë, shkruan Der Spiegel.

Ajo madje e nënshkroi edhe një marrëveshje dhe e fitoi një shumë të caktuar parash në shkëmbim për heshtjen e saj.

Ajo e nënshkroi këtë marrëveshje, për shkak të frikës për veten dhe familjen e saj, si dhe për shkak të mungesës së fuqisë dhe aftësisë për ta kundërshtuar Ronaldon. Për shkak të shpresës se kjo mund t’i ndihmonte për ta harruar incidentin. Por, Kathryn Mayorga thotë se ajo kurrë nuk ka qenë në gjendje ta harrojë atë që ndodhi atë natë.

Amerikania është një 34-vjeçare me flokë të gjata e të errëta dhe sy të gjelbër. Deri vonë, ajo ka punuar në një shkollë fillore. Por, ajo u largua nga puna sepse, siç thotë ajo, tani i duhet ta shfrytëzojë të gjithë energjinë e saj.

Kjo energji i duhet asaj për ta ngritur zërin kundër njeriut të cilin e akuzon se e kishte përdhunuar para nëntë vjetëve – akuzë kjo të cilën ai njeri e refuzon.

Njeriu në fjalë nuk është një njeri çfarëdo. Ai është Cristiano Ronaldo, i cili konsiderohet nga shumë persona si futbollisti më i mirë në botë dhe mbulohet nga sukseset, paratë dhe dashuria e tifozëve të tij. Një grua anonime kundër Ronaldos, dallimi mes këtyre të dyve nuk mund të kishte qenë më i madh.

Ata u takuan më 12 qershor të vitit 2009 në një klub nate në Las Vegas. Ronaldo ishte aty për pushime me bashkëshortin e motrës së tij dhe me një kushëri. Ajo ishte vera kur ylli portugez, atëherë 24-vjeçar, u transferua nga Manchester Unitedi në Real Madridi për një shumë e cila atëherë e theu rekordin për çmimin më të lartë të paguar për një futbollist, 94 milionë euro.

Kathryn Mayorga, atëherë 25-vjeçare, sapo e kishte filluar karrierën si modele dhe pjesë e punës së saj ishte të argëtohej me gra të tjera të reja dhe të bukura në hyrje të klubeve të natës, në mënyrë që t’i nxisin kalimtarët të hyjnë brenda.

Atë të premte në qershor, rrugët e modeles dhe multimilionerit u kryqëzuan në zonën VIP të klubit të natës “Rain”, në Palms Casino. Në fotot e shkrepura nga ajo natë shihet Mayorga duhet i qëndruar afër Ronaldos dhe duke biseduar me të. Ai e ka të veshur një bluzë të bardhë me një kravatë të zezë dhe ajo është në një fustan të hirtë me aksesorë ari. Ai duhet i qetë përderisa ajo i buzëqesh.

Brenda pak orësh, gazetarët e thashethemeve rreth e përqark botës ishin të zënë duke tentuar ta kuptojnë se kush është zeshkania misteriozë në krahët e Ronaldos. Festa vazhdoi deri në orët e hershme të mëngjesit në apartamentin e Ronaldos në hotelin Palms Place. Dhe vetëm dy njerëz e dinë se çfarë ndodhi në atë dhomë: Kathryn Mayorga dhe Cristiano Ronaldo.

Ajo që është e qartë është se futbollisti e pagoi Mayorgan 330 mijë euro disa muaj më vonë, si pjesë e një marrëveshje mes këtyre të dyve. Në shkëmbim, Mayorga e nënshkroi një marrëveshje për të mos e akuzuar asnjëherë Cristiano Ronaldon për përdhunim.

Një akuzë e besueshme

Der Spiegel kishte raportuar për marrëveshjen e arritur mes këtyre të dyve për herë të parë në pranverën e vitit 2017. Dokumentet të cilat janë pjesë e marrëveshjes u zbuluan nga Football Leaks. Për të raportuar për këtë marrëveshje, redaksia e Der Spiegel e kishte kontaktuar Mayorgan, e cila paraqitet me pseudonimin Susan K. “Asnjë koment”, kishte qenë kjo gjithçka që kishte thënë Mayorga në atë kohë. Kur gazetarët e pritën atë para shtëpisë së saj, ajo iku në vrap.

Image

Kur artikulli i parë u bë publik, agjencia e Ronaldos, Gestifute, e lëshoi një deklaratë, ku thuhej: “Artikulli nuk është asgjë përpos një tekst fiktiv gazetaresk. Gazeta e ka bazuar të gjithë rrëfimin në disa dokumente, të cilat nuk janë të nënshkruara dhe ku palët nuk janë të identifikuara”.

Portretizimi është i pasaktë

Një numër dokumentesh e dëshmojnë të kundërtën, përfshirë këtu edhe disa të nënshkruara nga vetë Cristiano Ronaldo. Ekzistenca e këtyre dokumenteve e sqaron se pse, në më shumë se një vit, ai nuk e ka paditur askënd në Gjykatë për këto akuza. Në një deklaratë publike, Gestifute tentoi ta zhvlerësojë viktimën, duke thënë se ajo nuk pranon ta shfaqë veten dhe ta konfirmojë vërtetësinë e këtyre akuzave.

Akuza është e besueshme. Në fund të fundit, elementet kyçe të kësaj marrëveshje ishin që Mayorga nuk lejohej të fliste për incidentin. Nëse ajo do ta shkelte këtë marrëveshje, atëherë ajo do të detyrohej t’ia kthente këto para Ronaldon, si dhe t’ia paguante atij edhe një dëmshpërblim, transmeton Gazeta Express.

Por përkundër kësaj, tani ajo ka vendosur që të flasë, duke e treguar historinë e asaj nate nga këndvështrimi i saj për herë të parë. Pse? Çfarë e bëri ta ndryshonte mendjen?

Në thelb, janë tri arsye për këtë gjë. Pikë së pari, ajo e ka një avokat të ri, një që ka përvojë dhe guxim. Ai beson se marrëveshja që Mayorga e kishte nënshkruar nuk është e ligjshme dhe ai e ka bërë një padi civile ndaj Ronaldos në emrin e Kathryn Mayorgas. Kjo akuzë mbështetet nga një dokument 27-faqesh që mund të ketë pasoja të mëdha për yllin e futbollit. Dokumenti e përfshin një version të asaj se si Ronaldo e kishte përjetuar atë natë, duke e përfshirë edhe fjalinë në vazhdim: “Ajo më tha jo dhe ndalo disa herë”.

Së dyti, bota ka ndryshuar për gratë të cilat pretendojnë se janë viktima të dhunës seksuale. Para një viti, akuzat ndaj producentit të famshëm amerikan, Harvey Weinstein, u bënë publike. Sipas këtyre pretendimeve, ai i kishte ngacmuar, abuzuar dhe dhunuar gratë për dekada të tëra. Weinstein i ka mohuar akuzat.

Paratë, fuqia dhe fama

Kur skandali u bë publik, aktorja amerikane, Alyssa Milano, i inkurajoi gratë që kanë qenë viktima të ngacmimit seksual t’i bëjnë publike këto histori përmes hashtagut #MeToo.

Dhjetëra mijëra gra e bënë një gjë të tillë, duke e ndryshuar mënyrën se si priten dhe perceptohen akuzat e tilla në publik. Tani është bërë shumë më e vështirë për politikanët, avokatët dhe publikun e përgjithshëm t’i injorojnë dhe t’i nënvlerësojnë akuzat për dhunë seksuale, veçanërisht në rastet kur i akuzuari ka shumë para, fuqi dhe famë.

Lëvizja #MeToo i ka dhënë edhe viktimave më shumë guxim dhe vetëbesim. Mayorga është një ndër to. Ajo thotë se i ka kaluar shumë orë e ulur para kompjuterit të saj, duke i lexuar historitë e grave të tjera.

Arsyeja e tretë është sepse ajo e sheh këtë si një mundësi për të mësuar nëse ka edhe gra të tjera të cilat kanë qenë viktimë e dhunës seksuale nga Ronaldo. “Kjo është diçka që gjithmonë kam dashur ta di”, thotë ajo.

Para disa javëve, Kathryn Mayorga ishte e ulur në zyrën e avokatit të saj në Las Vegas, bashkë me nënën e saj, Cheryl Mayorga, dhe psikologen e saj.

Kathryn ka të veshura disa rroba të zeza dhe vathë të gjatë të gjelbër. Ajo është grimuar, mirëpo nuk ka arritur ta fshehë lodhjen në sytë e vet. Gjatë javës së fundit, thotë ajo, ka pasur probleme me gjumë.

Ajo duket e rraskapitur, por edhe është shumë e shqetësuar. Sytë e saj rrokullisen nëpër dhomë, përderisa ajo i kreh vazhdimisht flokët e saj prapa.

Mayorga merr frymë thellë. Së pari, ajo dëshiron të flasë për gjërat që e frikësojnë, përderisa e merr hapin e guximshëm dhe fillon të flasë. “Ai është shumë i famshëm. Kështu që jam e frikësuar, jam e tmerruar”. Ajo brengoset se ndonjë person mund t’i bëjë asaj ndonjë gjë, se gazetarët dhe tifozët e Ronaldos nuk do ta lënë atë të qetë. “Arsyeja pse e nënshkrova atë marrëveshje në fillim ishte sepse nuk doja që emri im të bëhej publik”.

Ajo fillon të qajë, frymëmarrja e saj çrregullohet plotësisht. Ajo mbështetet në karrigen e saj dhe e mbulon fytyrën me duart e saj. Psikologja e saj është e shqetësuar dhe ata e dërgojnë Mayorgan në një dhomë tjetër aty afër për rreth gjysmë ore.

Nëna e saj, Cheryl, 66-vjeçare, qëndron prapa. Ajo grua e vogël me flokë të errëta i zgjedh fjalët e saj me shumë kujdes: “Kjo gjë nuk e ka lënë atë kurrë të qetë. Çdo ditë, ajo jeton me këtë. Ka raste kur ajo më telefononte sepse e kishte parë atë në ndonjë pllakat apo diçka të tillë dhe kjo e shkatërronte atë. Kur shkon në shitore për të blerë qumësht, fotot e tij janë gjithkund. Ai është Zoti i futbollit dhe të gjithë mendojnë se ai është i përsosur dhe i pametë. Ndërsa, ajo as nuk mund të ngrihet nga shtrati i saj nganjëherë. Kjo është gabim. E mbështesim Kathryn plotësisht”, thotë Cheryl, përderisa e tund kokën.

‘Vetëm njerëz të thjeshtë’

Kur thotë “ne”, ajo flet në emër të familjes Mayorga. Babai i Kathryn Larry, 64-vjeçar, dhe vëllai i saj Jason, 37-vjeçar, e përshkruan mënyrën se si e ka ndryshuar ajo natë e para nëntë viteve Kathryn.

Ajo u lind dhe u rrit në Las Vegas. Babai i saj, i cili tani është i pensionuar, punonte si zjarrfikës për 32 vite, përderisa nënta e saj e kalonte shumicën e kohës duke u përkujdesur për fëmijët. “Ne jemi vetëm njerëz të thjeshtë”, thotë Cheryl, transmeton Gazeta Express.

Kathryn luante softball dhe futboll kur ishte anëtare e “Girl Scouts”. Por, nëna e saj thotë se ajo vuan nga një çrregullim që ia pamundëson përqendrimin në një gjë dhe ajo ka vështirësi në të mësuar. Vajza e saj nuk mund të përqendrohet dhe nuk mund t’i mbajë mendimet e saj të qarta. Kjo është një nga arsyet pse ajo nganjëherë flet aq shpejt.

Dera hapet dhe Kathryn Mayorga kthehen përsëri në dhomë. Ajo duket se është qetësuar. Nëna e saj tregon me shpejtësi atë që ndodhi. “Kisha shumë probleme në fëmijëri. E kisha të vështirë të mësoja në shkollë. Unë i kisha të dokumentuara problemet e mia… dhe më ofrohej ekstra kohë. Unë punova shumë në shkollë sepse doja ta dëshmoja veten”, thotë Kathryn, e cila ka diplomuar nga Universiteti i Nevadës për gazetari.

Ajo flet shumë për fëmijërinë e saj në një nga kryeqytetet më argëtuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Argëtoheshim shumë. Shkonim në festa nëpër hotele, dilnim dhe bënim gjëra. Ne me të vërtetë dilnim, pinim ndonjë gjë, vallëzonim gjithë natën dhe pastaj ktheheshim. Më pëlqen kontrolli”, shton Kathryn.

Pak kohë pasi diplomoi në vitin 2008, ajo u martua me të dashurin e saj, një kamerier nga një familje shqiptare, i cili gjithashtu rregullonte kompjuterë nganjëherë. “Në atë kohë, unë kisha diplomuar dhe kisha nevojë të martohesha. E ndieja këtë presion. Dhe në fillim, u pajtova me këtë gjë”, rrëfen ajo.

Por, nuk kishte qenë e shkruar të ndodhte ashtu. Rreth një vit pas martesës, çifti u nda dhe Mayorga u kthye të jetonte me familjen e saj, shtëpia e të cilëve është ndër më të mirat në atë lagje të Las Vegasit, e kompletuar me një oborr të rrethuar, një garazh të madhe, një pishinë të bukur, si dhe një pamje të mirë mbi qytetin.

“Unë me të vërtetë po e shijoja veten”, thotë Mayorga. “Po stërvitesha çdo ditë, isha vegane… bëja shumë gjëra të mira për modelet”. Ajo tregon se ajo udhëtoi shumë gjatë asaj kohe, diçka që ia mundësonte puna e saj.

Nata që e ndryshoi jetën e saj

Mayorga largohet nga mbështetësja e karriges me një pamje vendosshmërinë në sytë e saj. “Ata tentuan të më zhvlerësojnë mua”, thotë ajo, duke iu referuar stafit ligjor të Ronaldos. “Ata tentuan të thonë: ‘Mirë, puna jote nuk është një punë për vajzat e mirë’”, shprehet Kathryn, duke shtuar se puna e saj ishte plotësisht normale. “Atyre u pëlqente që ne të mbanim gota në duart tona dikur të kishim dalë për t’u argëtuar me shoqet. Ne merrnin ujë dhe e mbanim në dorë, sikur të ishim duke biseduar me shoqet”.

E rraskapitur, ajo mbështetet përsëri në karrigen e saj për ta grumbulluar energjinë. Pastaj, ajo fillon ta tregojë historinë e asaj nate – natës që ai shkatërroi jetën. Natën të cilën ajo e përshkruan sikur të ishte duke e shikuar një video me mendjen e saj, edhe pse kishte ndodhur kaq shumë kohë më parë.

Ajo po punonte atë natë gjithashtu dhe më vonë shkoi për të festuar me shoqet e saj. Kishte shumë shampanjë aty, mirëpo ajo thotë: “Unë piva pak, por ishte duke e mbajtur një dietë të rreptë”.

Pastaj, ajo e mori një mesazh nga shoqja e saj, Jordan, emri i së cilës është ndryshuar për këtë artikull. Ato u takuan në Rain dhe hynë në zonën VIP. “Jordan është shumë e njohur me botën e klubeve të natës, ajo njeh shumë njerëz. Ai vetëm ma kapu krahun dhe më tha: ‘Ti! Eja këtu!’ Unë isha e habitur dhe mendoja: ‘A e ke seriozisht’”, rrëfen Mayorga.

Ajo e dinte se kush ishte ai dhe e dinte se ai ishte duke festuar në atë klub atë natë. “Jordan më kishte treguar se ai ishte këtu. Njerëzit po flisnin për të: ‘Oh, ai është këtu. Ai është i famshëm”. Dhe unë po mendoja: ‘Mendoj se e kam kërkuar atë edhe më parë”.

Ronaldo qeshi me të, thotë ajo, sepse ajo nuk shkoi menjëherë të ai. Pastaj, ai i pagoi asaj një pije dhe e prezantoi atë me shoqëruesit. “ ‘Ky është si vëllai im’, më tha kur më prezantoi me njërin nga djemtë aty”.

Ata biseduan për pak kohë dhe pastaj ajo thotë se ai ia kërkoi numrin e telefonit. “Unë ia dhashë numrin e telefonit dhe ai thjesht u largua… Unë po mendoja: ‘Në rregull, mirë’”.

Mayorga thotë se ajo pastaj kishte shkuar për ta kërkuar Jordan dhe e kishte gjetur atë jashtë me disa shokë. Në atë moment, thotë ajo, një mesazh nga Ronaldo ishte shfaqur në telefonin e saj. “Hej, merri shoqet e tua. Ejani në këtë parti”. Ajo dhe Jordan vendosin ta pranonin ftesën e Ronaldos për në Palms Place, hotelin aty afër. Ronaldo dhe shoqëruesit e tij, thotë Mayorga, ishin duke pritur në hyrje të hotelin, ku ata i treguan vajzave se festa kishte përfunduar, transmeton Gazeta Express.

“Ai më tha se ata do ta bënin festën e tyre. Unë e kisha tërhequr mënjanë Jordan dhe mendoj se i kisha thënë se është më mirë vetëm ta bëjmë një fotografi dhe të largohemi. Ka një pamje shumë të mirë nga ky hotel”.

Në dhomë hyn Ronaldo

Në vitin 2009, Palms Casino Resort ishte vendi më i famshëm në Las Vegas, Ronaldo e kishte apartamentin 57306, një nga më luksozet, ku një natë sot kushton rreth 1 mijë euro.

Apartamenti luksoz përfshin një kuzhinë, një dhomë të madhe ndenje dhe dy dhoma gjumi, secila me nga një banjë tejet luksoze. Në ballkon gjendet në “Jacuzzi” me pamje nga qyteti.

Sapo arritën në atë dhomë, Kathryn e kujton se të gjithë kishin shkuar në ‘Jacuzzin’ në ballkon papritmas dhe Jordan ishte ulur në një qoshe. “Na u dukën të lezetshëm ata. Por, ishte vonë dhe unë e kisha një sesion fotografie të nesërmen në mëngjes. Nuk desha të futesha në ujë për të mos e shkatërruar fustanin”.

Ronaldo, thotë Mayorga, i kishte ofruar asaj diçka për të veshur. “Jordan ishte duke u argëtuar dhe ajo kishte dalë në qytet. Nuk dëshiroja t’ia ndalja argëtimin, kështu që i thashë se i doja ato rroba”.

Ajo thotë se pastaj kishte shkuar në banjë për t;u ndërruar. Kur ishte dukë qëndruar aty vetëm në brekët e saj, ajo thotë, Ronaldo ishte futur papritmas aty, me penisin aty jashtë pantallonave të shkurtër që i kishte veshur.

Përderisa e tregon historinë e asaj nate, Mayorga ndalon nganjëherë dhe i hap sytë e saj aq shumë sa që bebëzat e saj rrethohen nga pjesa e bardhë e syrit. “Në thelb, ai mu përgjërua t’ia prekja penisin e tij për 30 sekonda”.

Ajo e tund kokën. “Kur refuzova ta prekja, ai filloi të më përgjërohej t’ia thithja. Çfarë idioti! Unë fillova të qeshja sepse mendova se ishte shaka. Ky djalosh është kaq i famshëm dhe tërheqës, si mund të jetë një dështak dhe kaq i çuditshëm”. Por, Ronaldo nuk u ndal me kaq. “Ai më tha se do të më linte të qetë nëse e puthja. Unë i thashë se në rregull, por se nuk do t’ia prekja penisin e tij të shpifur”. Mayorga betohet se ajo vetëm e kishte puthur atë dhe nuk e kishte prekur fare diku tjetër.

Puthja, thotë ajo, vetëm e eksitoi atë edhe më shumë. “Ai filloi të më bënte gjëra dhe të më prekte. Unë e shtyva atë dhe vazhdimisht i thosha: ‘Jo’”.

Në atë moment, thotë ajo, një nga shokët e tij hyri dhe pyeti: Çfarë jeni duke bërë? “Unë menjëherë e mora fustanin tim dhe fillova ta vesh. Dhe i thashë se po largohemi menjëherë. Ai më shikoi dhe më tha: ‘Po, po. Ne do të largohemi’”.

Mayorga qëndron e heshtur për një moment, para se të fillojë përsëri. “Mendova se gjithçka mori fund”. Por një gjë e tillë nuk ndodhi, pretendon ajo. “Ai më tërhoqi drejt dhomës. Unë ende nuk isha e frikësuar aspak. Unë vetëm mendoja se ai ishte i paepur. Ia sqarova: ‘Dëgjo djalë, kjo gjë nuk do të ndodhë’”.

“Jo, Jo, Jo”

Por, ajo pretendon se Ronaldo nuk ndaloi as atëherë. “Unë u ktheva për t’u larguar. Ai tentoi të m’i hiqte brekët. U largova nga ai dhe e mbaja me duar vagjinën time. Dhe atëherë ai u gjuajt mbi mua”. Ajo thotë se i kishte thënë: “Jo, jo, jo, jo”.

Kathryn Mayorga pretendon se Ronaldo e dhunoi në anus. Pa kondom dhe pa lubrifikant.

“Pasi ai abuzoi me mua, ai nuk më lejonte të largohesh. Nuk më linte të largohesha. Dhe ai më thërriste zemër. Më shikonte me sy fajtori. Pothuajse sikur të ndihej në faj. Nuk e mbaj mend por jam e sigurt se ai më kishte thënë ‘më fal’ ose ‘a je lënduar?’. Atëherë, ai ishte gjunjëzuar”. Mayorga thotë se ai kishte insistuar se ai është 99 përqind djalë i mirë.

Ky ishte momenti, thotë ajo, kur e kishte kuptuar për herë të parë se çfarë i kishte ndodhur asaj. “Gjithçka ndodhi aq shpejt. Unë nuk e dija me të vërtetë se çfarë po ndodhte. Ndihesha sikur të isha në ajër, sikur të mos isha aty. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Mendoja se kisha ndonjë sëmundje. Mendova se ai e kishte SIDA-n. Kështu që i thashë: ‘Duhet të më tregosh nëse e kam nodnjë sëmundje. A e kam ndonjë sëmundje?’. Ai më tha: ‘Jo, jo. Unë jam një atlet profesionist dhe unë testohem çdo tre muaj. Nuk do të mund të luaja futboll po të isha i sëmurë’”, transmeton Gazeta Express.

Për një moment mbizotëroi heshtja në dhomën ku po mbahej intervista në Las Vegas, Kathryn Mayorga e vështronte drejt tavolinën para saj. Babai i saj, Larry, na u bashkua në dhomë, duke u ulur në një karrige. Ai kishte veshur një bluzë të zezë me mëngë të shkurtra dhe një kapele të zezë. Ai është një burrë të cilit i pëlqen të buzëqeshë, por sa më shumë që e dëgjon të bijën e tij, aq më shumë reflektohen zemërimi dhe dëshpërimi në fytyrën e tij. Më vonë, ai tregoi se vajza e tij nuk kishte qenë kurrë më parë kaq e hapur për atë natë.

Pastaj, Kathryn Mayorga filloi të flasë përsëri. “Unë i thashë: ‘Askush nuk do ta marrë vesh për këtë gjë’. Ai mund të më ketë kërkuar të jem e qetë kur të dalim nga dhoma. Nuk e mbaj mend”.

Një person ende e mban mend kur e kishte parë Mayorgan duke dalë nga ajo dhomë: shoqja e saj, Jordan. “Kathryn dukej e çoroditur. Flokët e saj ishte bërë rrëmujë, grimi i ishte prishur”, thotë Jordan. Ajo kishte vazhduar duke e pyetur Ronaldon: “Çfarë i ke bërë shoqes time?”.

Mayorga e kujton atë skenë në mënyrë të ngjashme. Në përgjigje ndaj pyetjes së Jordan, të dyja tregojnë se Ronaldo kishte thënë: “Gjithçka është në rregull. Ne jemi shokë”.

“Unë nuk isha plotësisht e vetëdijshme”, thotë Mayorga. Ata ishin ulur në një qoshe të Jacuzzit. “Fillimisht, ai u ul afër meje, por unë u largova sepse nuk doja të isha afër tij”. Ajo vazhdon: “Jordan thotë se unë i kisha ngulur sytë te uji, por unë nuk e mbaj mend këtë gjë. Pastaj, të gjithë heshtën dhe ishim në siklet. Më në fund, ai u ngrit dhe u largua. Sapo u largua, e mbaj mend se rashë në Jacuzzi”.

Rënia në ujë kishte bërë që Kathryn të kthjellohej. Ajo i kishte thënë vetes: “Në rregull, duhet të qëndrosh e qetë tani. Jordan vazhdonte duke më pyetur nëse isha mirë. Unë fillova të qesh dhe i tash se asgjë nuk kishte ndodhur dhe se ajo duhet t’i kushtojnë vëmendjes pamjes jashtë”. Ajo thotë se pastaj ishin larguar dhe se shokët e Ronaldos ia kishin dhënë asaj një peshqir.

Në rrugën drejt ashensorit, ajo ishte lavdëruar para Jordan: “Çfarë nate, çfarë argëtimi!” Më vonë, ato ishin përshëndetur duke ia uruar natën e mirë njëra-tjetrës.

Vetëm kur kishte arritur te vetura e saj, e kishte kuptuar se kishte filluar t’i ndiente dhimbjet. “Çdo rrahje e zemrës ma shkaktonte një dhimbje të padurueshme”. Ajo thotë se kishte vozitur drejt një spitali, por ishte frikësuar të futej brenda. Pastaj kishte shkuar në shtëpi dhe kishte tentuar, pa sukses, të flinte.

Vetëm disa orë më vonë, ajo e mori një telefonatë nga Jordan. “Ajo më tha se ishim në lajme”. Në të njëjtën kohë, thotë Mayorga, ajo kishte filluar të merrte mesazhe si: A je duke u takuar me atë futbollistin e famshëm? Vetëm atëherë ajo i kishte parë fotografitë. “Ato ishin gjithkund, në të gjitha mediumet”. Në fotografi shihej ajo duke flirtuar me Ronaldon.

Ajo thotë se menjëherë i kishte treguar Jordanit që kjo gjë nuk ishte diçka e mirë. Por, Jordan nuk e kishte kuptuar atë deri në momentin kur ajo më në fund e kishte pranuar: ‘Jordan. Ai më dhunoi”.

Ajo thotë se Jordan ishte shqetësuar thellësisht dhe menjëherë e kishte këshilluar atë që të tregohet e kujdesshme, duke i thënë se futbollistët kanë shumë fuqi. Në raste të tilla, thotë ajo, nuk ekziston ajo gjë e quajtur drejtësi.

Kur dhimbja refuzonte të zhdukej, ajo filloi të brengosej. “Isha me të vërtetë keq dhe isha e tronditur”, thotë Mayorga. Ajo thoi se e kishte telefonuar një shoqe të fëmijërisë dhe i kishte treguar për gjithçka që kishte ndodhur. Shoqja e saj e kishte këshilluar atë që ta thërriste policinë në mënyrë anonime.

“Nuk doja që ata ta dinin se kush isha. I thosha policisë se nuk do ta tregoja emrin tim dhe i thashë se kisha nevojë që dikush të më dërgonte në spital. Ata erdhën, rreth gjashtë persona. Unë isha një rrëmujë e vërtetë”.

(Kosova Sot Online)