Buffon e refuzon kontratën e re dhe largohet nga PSG-ja

  • 05 June 2019 - 18:28
Buffon e refuzon kontratën e re dhe largohet nga PSG-ja

Gianluigi Buffon do të largohet nga Paris Saint-Germaini këtë verë, pasi e ka refuzuar kontratën e re të klubit, njofton gjiganti francez.

Ish-ylli i Parmës dhe Juventusit e kaloi një vit në PSG në Ligë 1 në moshën 40-vjeçare, por ka refuzuar ta vazhdojë kontratën me klubin, e cila i skadon më 30 qershor.

“Pas diskutimeve të përbashkëta, Paris Saint-Germain dhe Gianluigi Buffon janë pajtuar që kontrata e portierit legjendar të mos rinovohet, e cila skadon më 30 qershor 2019”, thuhet në njoftimin e klubit.

Por, deklarata e lëshuar nga PSG-ja dallon nga ajo e lëshuar nga Buffon në llogarinë e vet zyrtare në Instagram.

“Sot përfundon aventura ime jashtë Italisë: PSG-ja më propozoi ta rinovoj kontratën, të cilën nuk u ndjeva i gatshëm ta pranoj, i shtyrë nga dëshira ime për t’u përgatitur për një përvojë të re personale dhe për sfida të reja profesionale”, shkroi Buffon në Instagram.

(Kosova Sot Online)