Neymari pëson lëndim të rëndë, e humb Kupën e Amerikës

  • 06 June 2019 - 08:41
Neymari pëson lëndim të rëndë, e humb Kupën e Amerikës

Neymari do të mungojë në turneun e Kupës së Amerikës këtë verë, pasi që u detyrua ta lë në gjysmë ndeshjen miqësore mes Brazilit dhe Katarit, pasi e pësoi një lëndim në kyçin e këmbës.

Sulmuesi i Paris Saint-Germainit do ta humbë rrugëtimin e Kombëtares së Brazilit në Kupën e Amerikës për shkak se e këputi një ligament në kyçin e këmbës së djathtë.

Federata e Futbollit e Brazilit e konfirmoi këtë lajm, pasi Neymari u largua me lot në sy gjatë miqësore kundër Katarit, të cilën brazilianët e fituan me rezultat 2:0.

“Pasi e pësoi një lëndim në kyçin e këmbës së djathtë gjatë ndeshjes të së mërkurës kundër Katarit, Neymari iu nënshkrua testeve mjekësore, të cilat konfirmuan se atij i ishte këputur një ligament”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga Federata e Futbollit e Brazilit.

 “Për shkak të seriozitetit të këtij lëndimi, Neymari nuk do të jetë në formë të mirë fizike dhe nuk ka mjaftueshëm kohë për t’u rikuperuar që të marrë pjesë në Kupën e Amerikës Brazil 2019”.

“Qysh të enjten, komiteti teknik i ekipit kombëtar të Brazilit do ta fillojë punën për ta gjetur një zëvendësues”.

Ylli i Paris Saint-Germainit e nisi ndeshjen përkrah Richarlisonit dhe Gabriel Jesus në treshen e sulmit në ndeshje që shihej vetëm si përgatitje për turneun e këtij viti mes klubeve nga Amerika Jugore.

Megjithatë, Neymari u detyrua ta lë ndeshjen pas 21 minutave lojë pasi mbeti me kyçin e këmbës së lënduar, për shkak të një ndërhyrjeje.

Pas lëndimit, ylli brazilian u pa me lot në sy gjatë kohës sa ishte i ulur në bankën rezervë. Ai u ndihmua të shkojë deri në zhveshtore nga stafi i ekipit kombëtar të Brazilit. Në vend të tij, në lojë hyri Everton Soaresi.

Së fundi, Neymarit i ishte marrë shiriti i kapitenit të Brazilit dhe ky rol iu besua bashkëlojtarit të vetë Neymarit në Paris Saint-Germain, Dani Alvesit. 

(Kosova Sot Online)