Marca: Kosova, problemi i vazhdueshëm i sportit spanjoll

  • 06 June 2019 - 11:15
Marca: Kosova, problemi i vazhdueshëm i sportit spanjoll

E përditshmja spanjolle, Marca, e ka publikuar një artikull dedikuar pjesëmarrjes së Kosovës në Botërorin e hendbollit, që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Spanjë.

Sipas gazetës spanjolle, Federata e Hendbollit të Spanjës dhe Komiteti Olimpik i Spanjës po mundohen të gjejnë një zgjidhje bashkërisht me qeverinë e këtij vendi, për pjesëmarrjen e Kosovës në Botëror me simbolet shtetërore, në mënyrë që mos e humbin organizimin, transmeton Gazeta Express.

“Delegacioni i Kosovës nuk do të përballet me probleme për viza, mirëpo përdorimi i simboleve të tyre shtetërore mbetet ende problematik. Në Lojërat Mesdhetare, të zhvilluara në vitin 2018 në Tarragona, atletët kosovarë u përcollën me flamurin e tyre në paradë”, shkruan Marca.

“Për momentin, Komiteti Olimpik i Spanjës ia ka shkruar një letër Ministrisë së Punëve të Jashtme në tentim për ta gjetur një zgjidhje. Federata Ndërkombëtare e Hendbollit është lajmëruar për këtë gjë”.

Federata Ndërkombëtare e Hendbollit (IHF) e kishte paralajmëruar Spanjën se do t’i merret e drejta e organizimit të Kampionatit Botëror, nëse nuk i respekton simbolet shtetërore të Kosovës. Ky reagim erdhi pasi Kosovës nuk iu lejua paraqitja me flamur në short.

Shorti që u hodh në Pontevedra të Spanjës sugjeroi se Kosovës mund të mos i respektohen të drejtat në këtë Kampionat Botëror, pasi që gjatë shortit vetëm Kosova nuk u përfaqësua me flamur shtetëror, për dallim nga kombëtaret e tjera.

Përderisa emrat e 23 kombëtareve të tjera u shoqëruan me flamujt shtetërore afër, emri i Kosovës u shoqërua nga logoja e Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Menjëherë pas këtij skandali, Federata e Hendbollit të Kosovës u ankua në IHF dhe pastaj drejtori gjeneral i kësaj federate ndërkombëtare, Amal Khalifa, bëri të ditur se Spanjës do t’i merret organizimi i Botërorit nëse një gjë e tillë ndodh sërish. 

(Kosova Sot Online)