Petkovic: Ronaldo, qershia mbi tortë për Portugalinë

  • 06 June 2019 - 12:10
Petkovic: Ronaldo, qershia mbi tortë për Portugalinë

Trajneri i ekipit kombëtar të Zvicrës, Vladimir Petkovic, beson se mençuria e Portugalisë dhe superparaqitja e Cristiano Ronaldos ishin vendimtare në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve.

Ronaldo shkëlqeu duke i shënuar tri gola ndaj Zvicrës së Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës në gjysmëfinalen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Porto, dhe e bëri Portugalinë kombëtaren e parë finaliste në garën e re të UEFA-s.

Zvicra, për të cilën dy shqiptarët Shaqiri dhe Xhaka luajtën 90 minuta, do të luajë për vendin e tretë të dielën. Ndërsa, Portugalia do ta presë fituesin e gjysmëfinales së dytë mes Holandës dhe Anglisë, në finalen e së dielës.

“Urime Portugalisë. Ata shfaqën mençuri dhe e kishin qershinë mbi tortë. Kjo e bëri ndryshimin. Katër goditje, tri gola”, u shpreh Petkovic në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

“Në njërën anë, ne e kishim një kundërshtar shumë të vështirë, mirë gjatë 90 minutave lojë, ne e dëshmuan se jemi një skuadër e fortë dhe mund t’ia vështirësojmë jetën edhe skuadrave të nivelit më të lartë”.

“Ne po tentonim ta mbanim rezultatin, e patëm mundësinë ta shënojmë një gol të dytë, mirëpo nuk e shfrytëzuam këtë mundësi. Ata na mposhtën me shumë lojtarë në fazën e mbrojtjes dhe ne pësuam gola. Lojtari i tyre kryesor e bëri dallimin”.

Një pjesë të parë të kontrolluar nga vizitorët, e fitoi Portugalia falë Ronaldos. Superylli i Juventusit realizoi një gol fantastik nga gjuajtja e lirë në minutën e 25-të.

Zvicra, megjithatë, pati një fillim premtues në pjesën e dytë dhe e barazoi rezultatin në 1:1. Mbrojtësi Rodrigo Rodriguez shënoi nga penalltia, e cila erdhi vetëm falë VAR-it në minutën e 57-të.

Në një kohë kur u mendua se koha shtesë apo penalltitë do ta vendosnin finalistin e parë, Ronaldo doli në skenë si gjithmonë.

Dy minuta para fundit, Ronaldo e ktheu epërsinë e portugezëve duke realizuar pas një super pasimi nga Bernardo Silva. Vetëm dy minuta më vonë, një top i humbur nga Xhaka në mesfushë e fundosi Zvicrën.

Portugalia doli në kundërsulm të shpejtë, të cilin e konkretizoi me gol Ronaldo, i cili e kompletoi het-trikun duke shënuar një gol të bukur. 

(Kosova Sot Online)