Sulmuesi i Malit të Zi: Do ta kemi të vështirë kundër Kosovës

  • 06 June 2019 - 12:29
Sulmuesi i Malit të Zi: Do ta kemi të vështirë kundër Kosovës

Sulmuesi i ekipit kombëtar të Malit të Zi, Aleksander Bojlevic, ka thënë se përkundër që skuadra e tij synon fitore kundër Kosovës, ai është i vetëdijshëm për skuadrën e mirë të “Dardanëve”.

Më 2 qershor, ekipi kombëtar i Kosovës i filloi përgatitjet për ndeshjet e qershorit, ku Kosovës do t’i mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm për shkak të lëndimeve, si Hekuran Kryeziu, Valon Berisha e Herolind Shala.

Kosova fillimisht do të përballet me Malin e Zi në Podgoricë të premten, e pastaj, tri ditë më vonë, “Dardanët” do të udhëtojnë në Sofje për përballjen me Bullgarinë. Që të dyja këto ndeshje zhvillohen në kuadër të Grupit A të kualifikimeve në EURO 2020.

Edhe pse do të jetë vendase, Mali i Zi s’do ta ketë përkrahjen e tifozëve në stadium për ndeshjen kundër Kosovës, pasi që malaziasit janë dënuar nga UEFA ta zhvillojnë një ndeshje pa tifozë për shkak të thirrjeve raciste në ndeshjen e kaluar, kundër Anglisë.

 “Nuk kemi presion, edhe pse është e qartë se jemi duke shkuar për tri pikë. Do të na mungojnë tifozët, por ndoshta ky do të jetë një tjetër motiv për ne – të luajmë për ata, të festojmë pas ndeshjes dhe të shkojmë së bashku në Republikën Çeke”, tha Boljevic, i cili luan në skuadrën blege të Waasland-Beverenit.

“Ata janë të fuqishëm dhe nga ajo që pamë, ata i përkasin së paku vazos të katërt. Do të jetë e vështirë, por nëse jemi realë, siç kemi qenë shumë herë, ne mund të fitojmë”.

“Ata kanë disa lojtarë të shkëlqyer në sulm, ata bëjnë presing të thellë dhe këto janë cilësitë e tyre. Por ne duhet të përqendrohemi në lojën tonë, që ne të kemi të drejtë në fund të takimit”.

Kosova mund të kualifikohet në EURO 2020 nëse e zë njërin nga dy vendet e para në Grupin A. Nëse dështon në këtë rrugë, Kosova e ka edhe një mundësi tjetër, përmes play-offs për kualifikime, ku e siguroi një vend në gjysmëfinale përmes triumfit në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve. 

“Ata janë të mirë, por nuk kanë lojtarë që mund të na shkaktojnë probleme, nëse ne jemi në nivel. Sidoqoftë, një rënie e përqendrimit, një momoment neglizhence, një vlerësim i dobët, mund të çojë në arritjen e cilësisë së tyre”, deklaroi Lakoviq për mediat malazeze.

“Ne i dimë pikat e dobta të tyre dhe do të provojmë t’i përdorim ato”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)