James po kryen testet mjekësore në Man United

  • 06 June 2019 - 14:50
James po kryen testet mjekësore në Man United

Daniel James do t’i përfundojë sot të gjitha testet mjekësore për t’u transferuar përfundimisht në Manchester United, pasi që “Djajtë e kuq” kanë arritur marrëveshje me Swansea Cityn për 18 milionë funte.

Sky Sports raporton se Manchester Unitedi është afër ta kompletojë transferimin e anësorit 21-vjeçar uellsian, të cilit i ka mbetur vetëm edhe një vit në kontratën e tij me Swansea Cityn.

Shuma e cila do t’i paguhet menjëherë Swansea Cityt është 15 milionë funte, ndërsa Manchester Unitedi do ta pasojë këtë shumë edhe me 3 milionë funte të tjera, të cilat do t’i paguajë në formë të shtesave.

James, i cili për momentin është duke u përgatitur me Kombëtaren e Uellsit për ndeshjes kundër Kroacisë dhe Hungarisë, tashmë ka arritur marrëveshje për kontratën e tij personale me klubin e Old Traffordit.

Leeds United kishte qenë shumë afër transferimit të Jamesit në janar, në ditën e fundit të afatit kalimtar. Shuma për të cilin kishte qenë duke i siguruar shërbimet e uellsianit ky klub është më e vogël sesa ajo që po e paguan Manchester Unitedi, 8.5 milionë funte.

Më poshtë mund t’i shihni statistikat e Jamesit në krahasim me lojtarët aktual të Manchester Unitedit. Ai gjatë sezonit 2018/19 me Swansea Cityn i shënoi mesatarisht 0.1 gola për ndeshje dhe i bëri 0.3 asiste.

Jamesit i ka mbetur vetëm edhe një vit në kontratën e tij me Swansea Cityn. Ai ka shkëlqyer këtë sezon në Angli, ku në 38 paraqitjet e tij, i ka regjistruar pesë gola dhe dhjetë asiste.

21-vjeçari preferon të luajë në pozitën e sulmuesit të krahut të majtë, mirëpo nganjëherë luan edhe në pozitën e sulmuesit të krahut të djathtë dhe si mesfushor sulmues.

Image

(Kosova Sot Online)