Gjasat e Messit dhe Van Dijkut për ta fituar Topin e Artë

  • 07 June 2019 - 10:34
Gjasat e Messit dhe Van Dijkut për ta fituar Topin e Artë

ESPN raporton se pas fitores së Holandës në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, Virgil Van Dijku është favorit për ta fituar Topin e Artë, duke e lënë prapa vetes Lionel Messin.

Duopoli dhjetëvjeçar i Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos për Topin e Artë mori fund vitin e kaluar, kur me këtë çmim u shpërblye mesfushori kroat i Real Madridit, Luka Modrici.

Ky triumf i kroatit mund t’ua ketë hapur derën edhe garuesve të tjerë, pasi që tani favorit për Topin e Artë të këtij viti po konsiderohet qendërmbrojtësi holandez i Liverpoolit, Virgil Van Dijku.

Van Dijku këtë sezon me Liverpoolin e mbylli duke triumfuar me rezultat 2:0 në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Tottenhamit. Për paraqitjen e tij në këtë finale, ai u shpërblye me çmimin e UEFA-s për lojtarin e ndeshjes.

Pas këtij triumfi, gjasat e Van Dijkut për ta fituar Topin e Artë të këtij viti u rritën edhe më shumë, pasi që të mërkurën në mbrëmje ai arriti ta fitojë me Holandën gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, kundër Anglisë.

Në anën tjetër, Messi e mbylli sezonin vetëm me trofeun e La Ligës, pasi që dështoi në finale të Kupës së Mbretit me Barcelonën kundër Valencias, ndërsa në Ligën e Kampionëve Liverpooli ia ndali rrugëtimin në mënyrë tronditëse në fazën gjysmëfinale.

Përkundër që nuk arriti ta fitojë tripletën që e ëndërronte këtë sezon, Messi mbetet ndër lojtarët favorit për këtë çmim, pasi që shkëlqeu në 50 ndeshjet e zhvilluara me 51 gola dhe 22 asiste. 

(Kosova Sot Online)