Chelsea e apelon zyrtarisht dënimin e FIFA-s në CAS

  • 07 qershor 2019 - 10:53
Chelsea e apelon zyrtarisht dënimin e FIFA-s në CAS

Chelsea e ka apeluar zyrtarisht dënimin e FIFA-s, për të mos transferuar futbollistë në dy afatet e ardhshme kalimtare, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Kampioni i Ligës së Evropës u dënua në mars pasi i kishte shkelur rregullat për transferimin e futbollistëve të huajë nën moshën 18-vjeçare. Chelsea e apeloi këtë vendim fillimisht në FIFA, mirëpo kërkesa e tyre u refuzua në maj.

Si përgjigje ndaj vendimit të FIFA-s, Chelsea kishte bërë të ditur se do ta kontestojë vendimin e Komitetit të Apelit të FIFA-s. CAS ka bërë të ditur se e ka marrë apelin e Chelseat mirëpo ende nuk është caktuar afati kohor për këtë çështje.

Në mars të këtij viti, FIFA ia ndaloi Chelsea të transferojë lojtarë të rinj për dy afatet e ardhshme kalimtare, domethënë afatin kalimtar të kësaj vere dhe afatin kalimtar të janarit 2020.

FIFA e ndalon transferimin e lojtarëve nën 18-vjeçar në vende të huaja nëse ata nuk i plotësojnë disa kritere specifike. Këto rregulla u caktuan në mënyrë që të mbrohen fëmijët nga rreziku dhe nga trafikimi.

Një lojtar nën moshën 18-vjeçare mund të transferohet jashtë vendlindjes vetëm nëse:

1. Prindërit e tij janë transferuar gjithashtu, për arsye që s’kanë lidhje me futbollin;
2. Që të dy klubet janë në Bashkimin Evropian dhe lojtari është mes moshën 16 dhe 18-vjeçare. Klubi duhet t’ia plotësojë lojtarit edhe disa kritere në lidhje me shkollimin, stërvitjen, kushtet e jetës dhe mbështetjen emocionale; dhe
3. Ata jetojnë më pak se 100 kilometra larg klubit.

Chelsea e ka mohuar ta ketë shkelur ndonjërën prej këtyre rregullave, përkundër që FIFA zbuloi parregullsi në transferimin e 29 lojtarëve nga gjithsej 92 raste të hetuara. Përveç dënimit për afate kalimtare, Chelsea u gjobit me 460 mijë funta.

(Kosova Sot Online)