Zyrtare: Chelsea s’do të lejohet të transferojë lojtarë këtë verë

  • 07 June 2019 - 11:34
Zyrtare: Chelsea s’do të lejohet të transferojë lojtarë këtë verë

Chelsea e ka apeluar dënimin e FIFA-s për të mos transferuar lojtarë për dy afate kalimtar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), megjithatë londinezët nuk kanë kërkuar që dënimi i FIFA-s të pezullohet deri kur të merret vendimi i CAS-it.

Kampioni i Ligës së Evropës u dënua në mars pasi i kishte shkelur rregullat për transferimin e futbollistëve të huajë nën moshën 18-vjeçare. Chelsea e apeloi këtë vendim fillimisht në FIFA, mirëpo kërkesa e tyre u refuzua në maj.

Si përgjigje ndaj vendimit të FIFA-s, Chelsea kishte bërë të ditur se do ta kontestojë vendimin e Komitetit të Apelit të FIFA-s. CAS ka bërë të ditur se e ka marrë apelin e Chelseat mirëpo ende nuk është caktuar afati kohor për këtë çështje.

Përkundër këtij apeli, një zëdhënëse e CAS-it ka bërë të ditur për The Sun se Chelsea s’do të ketë të drejtë të transferojë lojtarë këtë verë, pasi që në letrën e apelit nuk ka kërkuar që dënimi i FIFA-s të pezullohet deri kur të merret vendimi i CAS-it.

“Për t’u pezulluar një vendim i marrë gjatë kohës sa çështja po trajtohet nga CAS-i, klubi duhet të bëjë kërkesë specifike për këtë gjë. Në apel dhe deri më tani, një kërkesë e tillë nuk është parashtruar nga Chelsea apo FIFA. Rrjedhimisht, vendimi i FIFA-s mbetet në fuqi’, ka thënë zëdhënësja.

Chelsea ishte pritur ta kërkojë pezullimin e vendimit të FIFA-s në mënyrë që të jetë mundësi ta përforcojë skuadrën këtë verë para se ta vuajë dënimin me dy afate kalimtare. Këtë gjë e kishin bërë Real Madridi dhe Barcelona.

Megjithatë, drejtuesit e Chelseat ishin të vetëdijshëm që së fundi Atletico Madridit i ishte refuzuar një kërkesë e tillë nga CAS-i, në vitin 2017. Klubi londinez besonte se edhe kërkesa e tyre do të pezullohej.

Për shkak të procedurave të gjata deri në vendimmarrje të CAS-it për këtë çështje, vendimi përfundimtar nuk pritet të merret deri rreth nëntorit të këtij viti.

Në mars të këtij viti, FIFA ia ndaloi Chelsea të transferojë lojtarë të rinj për dy afatet e ardhshme kalimtare, domethënë afatin kalimtar të kësaj vere dhe afatin kalimtar të janarit 2020.

FIFA e ndalon transferimin e lojtarëve nën 18-vjeçar në vende të huaja nëse ata nuk i plotësojnë disa kritere specifike. Këto rregulla u caktuan në mënyrë që të mbrohen fëmijët nga rreziku dhe nga trafikimi.

Një lojtar nën moshën 18-vjeçare mund të transferohet jashtë vendlindjes vetëm nëse:

1. Prindërit e tij janë transferuar gjithashtu, për arsye që s’kanë lidhje me futbollin;
2. Që të dy klubet janë në Bashkimin Evropian dhe lojtari është mes moshën 16 dhe 18-vjeçare. Klubi duhet t’ia plotësojë lojtarit edhe disa kritere në lidhje me shkollimin, stërvitjen, kushtet e jetës dhe mbështetjen emocionale; dhe
3. Ata jetojnë më pak se 100 kilometra larg klubit.

Chelsea e ka mohuar ta ketë shkelur ndonjërën prej këtyre rregullave, përkundër që FIFA zbuloi parregullsi në transferimin e 29 lojtarëve nga gjithsej 92 raste të hetuara. Përveç dënimit për afate kalimtare, Chelsea u gjobit me 460 mijë funte.

(Kosova Sot Online)