Kush do të jetë kapiten i Kosovës dhe me çfarë formacioni do të luhet kundër Malit të Zi?

  • 07 June 2019 - 11:59
Kush do të jetë kapiten i Kosovës dhe me çfarë formacioni do të luhet kundër Malit të Zi?

Në mungesë të tre kapitenëve për shkak të lëndimeve dhe pasi që Samir Ujkani s’pritet të luajë, media ka mësuar se kapiten i Kosovës për përballjen kundër Malit të Zi pritet të jetë Vedat Muriqi.

“Dardanët” e Bernard Challandes e kanë një sfidë të rëndësishme para vetes. Sonte në orën 20:45, në stadiumin e qytetit të Podgoricës, ata do ta kërkojnë fitoren e parë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Trajneri Bernard Challandes ka disa mungesa për këtë ndeshje, përfshirë Valon Berishën, Hekuran Kryeziun dhe Hekuran Shalën, të cilët ishin ndër kapitenët e Kosovës. Përveç këtyre tre mungesave, kapiteni i parë Samir Ujkani pritet të mbetet në stol, pasi që detyrën e portierit besohet se do ta ketë Arijanet Muriçi.

Kur u pyet dje, në konferencën për shtyp para ndeshjes së sotshme kundër Malit të Zi, për shirtin e kapitenit, trajneri Challandes tha se do të vendosë pas stërvitjeve, që u zhvilluan dje, për kapitenin

“Kapiteni i Kosovës? Ne kemi humbur katër kapitenë, por kapiteni nuk është problemi kryesor. Do të pres stërvitjet këtë mbrëmje që të vendosi për kapitenin nesër”, u shpreh Challandes.

Tani, Gazeta Express ka mësuar se më së shumti gjasa për të qenë kapiten ka Vedat Muriqi, i cili ka shkëlqyer këtë sezon në Turqi. Megjithatë, për këtë përgjegjësi nuk përjashtohet as Amir Rrahmani.

Titullar për Kosovës në fazën e mbrojtjes pritet të jenë Arijanet Muriçi, Mërgim Vojvoda, Amir Rrahmani, Benjamin Kololli. Idriz Voca dhe Besar Halimi do të kombinojnë në mesfushë, ndërsa Milot Rashica, Bersant Celina dhe Arbër Zeneli do të jenë më ofensivë për ta mbështetur Vedat Muriqin, në pozitën e qendërsulmuesit.

Fitorja në këtë ndeshje jo vetëm që do t’ia përmirësonte Kosovës gjasat për ta siguruar kualifikimin në EURO 2020 përmes këtij grupi, por edhe do ta ngrinte atë më lart në ranglistën e FIFA-s, pasi që Mali i Zi rangohet në vendin e 51-të në këtë listë, në krahasim me Kosovën, që renditet në pozitën e 127-të.

Kosova mund të kualifikohet në EURO 2020 edhe nëse nuk e zë njërin nga dy vendet e para në Grupin A, pasi që nëse dështon në këtë rrugë, Kosova e ka edhe një mundësi tjetër, përmes play-offs për kualifikime, ku e siguroi një vend në gjysmëfinale përmes triumfit në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve. 

Image

 

(Kosova Sot Online)