Super-forma e Kosovës përballë krizës malazeze

  • 07 June 2019 - 12:12
Super-forma e Kosovës përballë krizës malazeze

Përballja ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet sonte prej orës 20:45 në Podgoricë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”, do t’i vë përballë dy kombëtare që po kalojnë formë diametralisht të kundërt.

Kombëtarja e Kosovës nuk din për humbje qe një vit e gjysmë. Humbjen e fundit “Dardanët” e kanë pësuar në tetorin e vitit 2017 nga Islanda, në kualifikimet e Kampionatit Botëror.

Prej atëherë Verdhekaltrit i kanë zhvilluar 12 ndeshje pa e pësuar asnjë humbje. Ekipi jonë shtetëror i ka regjistruar tetë fitore krahas katër barazimeve.

Mirëpo, Kosova nuk ka mundur të fitojë në dy ndeshjet e fundit, duke barazuar 2:2 në miqësore me Danimarkën dhe pastaj ka barazuar 1:1 me Bullgarinë në ndeshjen e parë kualifikuese për “Euro 2020”.

Kjo formë e Kosovës u jep shpresë tifozëve kosovar për një rezultat pozitiv sonte në Podgoricë, ku futbollistët tanë kanë shkuar për fitore.

Njëherësh, forma e mrekullueshme e Kosovës po e frikëson Malin e Zi. Fqinjët po përjetojnë formë shumë të dobët. Ata i kanë pësuar tri humbje në katër ndeshjet e fundit, duke e nxjerrë vetëm një barazim.

Sidoqoftë, Mali i Zi shpreson t’u kthehet fitoreve sonte në përballjen me Kosovës sepse vetëm me tri pikë do të mund të shpresonte tutje në një kualifikim në Evropian.

Për Malin e Zi kjo do të jetë ndeshja e tretë kualifikuese për “Euro 2020”. Media shkruan se fillimisht kishte luajtur baras në Bullgari dhe pastaj ishte mposhtur keq nga Anglia në Podgoricë.

Kosova e ka zhvilluar deri më tani një ndeshje. Ka barazuar në Prishtinë me Bullgarinë, të cilën do ta vizitoi të hënën në Sofje. Në të njëjtin grup me Kosovën, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Anglinë është edhe Cekia. 

(Kosova Sot Online)