Konfirmohet kapiteni i ri i Kosovës

  • 07 June 2019 - 16:32
Konfirmohet kapiteni i ri i Kosovës

Skuadrën e Kosovës në fushën e Podgoricës kundër Malit të Zi do ta udhëheqë Amir Rrahmani, si kapiten i zgjedhur nga Bernard Challandes në momentet e fundit.

Trajneri zviceran i Kosovës, Challandes kishte kokëçarje se kë ta emëronte kapiten në këtë ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 kundër Malit të Zi, për shkak se kapiteni i deritanishëm, portieri veteran Samir Ujkani, e ka humbur vendin e titullarit në portë, dhe si pasojë e mungesës së tre zëvendës kapitenëve, Valon Berisha, Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala.

Me Ujkanin në bankën e rezervistëve, Berishën, Kryeziun dhe Shalën zyrtarisht jashtë kësaj ndeshjeje për shkak të lëndimeve, shiritin e kapitenit do ta bartë qendërmbrojtësi Amir Rrahmani.

Rrahmani ka qenë opsioni i parë për kapiten në ketë ndeshje, por ka pasur dyshime se mund të mungojë për shkak të një shqetësimi në gju.

(Kosova Sot Online)