Euro 2020: Spanja bën detyrën ndaj Ishujve Faroe, Ukraina turpëron Serbinë

  • 07 June 2019 - 22:48
Euro 2020: Spanja bën detyrën ndaj Ishujve Faroe, Ukraina turpëron Serbinë

Janë luajtur sot ndeshjet e raundit të tretë të fazës kualifikuese për Euro 2020.

Grupi F (Spanja 9, Suedia 7, Rumania 4, Malta 3, Norvegjia 2, Ishujt Faroe 0)

Spanja ka mundur pa probleme 4-1 Ishujt Faroe. Ky takim ka pasur edhe pak Shqipëri, duke parë se katërshja e arbitrave që ka drejtuar takimin ka qenë shqiptare: Enea Jorgji (kryesor), Ridiger Çokaj dhe Rejdi Avdo (anësorë), Juxhin Xhaja (i katërt).

Për sa i takon sfidës, spanjollët kanë zhbllokuar takimin pas 6 minutash me Ramos, teksa Navas ka dyfishuar avantazhin e miqve 13 minuta më vonë. Olsen ka ngushtuar diferenca përkohësisht për vendasit në të 30-ën, por autogoli i Gestsson në të 34-ën ka kthyer avantazhin e dyfishtë të spanjollëve, të cilët kanë gjetur edhe golin e katërt me Gaya (71').

Në ndeshjet e tjera të këtij grupi, Suedia ka mundur 3-0 Maltën në shtëpi, ndërsa takimi mes Norvegjisë dhe Rumanisë është mbyllur në barazim.

Grupi B (Ukraina 7, Luksemburgu 4, Portugalia 2, Lituania 1, Serbia 1)

Ukraina ka marrë një fitore bindëse 5-0 në shtëpi kundër Serbisë. Skuadra e Andriy Shevchenko-s ka shënuar dy gola të shpejtë në pjesën e parë me Tsygankov (26', 28') dhe i ka dhënë një shuplakë serbëve në pjesën e dytë me Konoplyanka (46', 75') dhe Yaremchuk (59'). Është mbyllur në barazim 1-1 ndeshja tjetër e këtij grupi, ajo e zhvilluar mes Luksemburgut dhe Lituanisë.

Grupi D (Irlanda 7, Zvicra 4, Gjeorgjia 3, Danimarka 2, Gjibraltari 0)

Irlanda ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në Grupin D pas barazimit 1-1 të marrë në transfertë kundër Danimarkës. Golat e kësaj sfide kanë ardhur në minutat e fundit, me Hojbjerg (76') që ka kaluar në avantazh vendasit, ndërsa Duffy (85') ka barazuar për miqtë.

Grupi G (Poloni 9, Izrael 7, Maqedoni e Veriut 4, Austria 3, Sllovenia 2, Letonia 0)

Polonia ka arritur të marrë tri pikët në fushën e Maqedonisë së Veriut falë një goli të realizuar nga sulmuesi i Milan-it, Piatek, në minutën e 47-të të pjesës së dytë, një minutë pasi ai ishte futur në fushën e lojës.

Fitore të rëndësishme edhe për Izraelin dhe Austrinë. Tëparët kanë mundur 3-0 në transfertë Letoninë, ndërsa të dytët kanë fituar 1-0 në shtëpi kundër Sllovenisë.

(Kosova Sot Online)