Zeneli flet për lëndimin e pësuar mbrëmë

  • 08 June 2019 - 08:27
Zeneli flet për lëndimin e pësuar mbrëmë

Arbër Zeneli e pësoi një lëndim në gjurin e këmbës së tij gjatë ndeshjes së Kosovës kundër Malit të Zi, e cila u mbyll me rezultat 1:1 në Podgoricë.

Kosova shkoi në stadiumin e qytetit të Podgoricës për t’i marrë tre pikë nga ndeshja, mirëpo u largua nga aty me dy pikë të humbura dhe pa Arbër Zenelin.

Zeneli u lënduan qysh në minutën e 39-të të përballjes së vlefshme për Grupin A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020. Pasi mori trajtim nga stafi mjekësor në fushë, ai u detyrua të largohet nga fusha nga një makinë.

Në pjesën e dytë ai shkoi në stol me ndihmën e patericave, ndërsa kur ndeshja përfundoi, kamerat televizive e kapën atë duke u ndihmuar të ecë nga dy persona të tjera.     

I pyetur nga Telegrafi, ai tha dje se ende nuk e di se sa serioz është lëndimi, por për ta mësuar këtë u kthye në Prishtinë.

“Momentalisht nuk po e di sa është serioz. Po nisem menjëherë për Prishtinë për kontrolle të detajuara”, ka thënë shkurtimisht Zeneli për Telegrafin.

Zeneli pritet të mungojë në ndeshjen kundër Bullgarisë, e cila do të zhvillohet të hënën në Sofje.


(Kosova Sot Online)