Sulmuesi i Malit të Zi: Kosova e dëshmoi se ka skuadër të mirë

  • 08 June 2019 - 09:14
Sulmuesi i Malit të Zi: Kosova e dëshmoi se ka skuadër të mirë

Sulmuesi i ekipit kombëtar të Malit të Zi, Stefan Mugosa, beson se barazimi në ndeshjen me Kosovën ishte rezultat i merituar, përkundër që thotë se Kosova e dëshmoi se ka skuadër të mirë.

Kosova u ndal me barazim 1:1 nga Mali i Zi në ndeshjen e rrethit të tretë të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, pasi dështoi t’i konkretizojë rastet e shumta në një takim që u zhvillua pa shikues në stadiumin e qytetit në Podgoricë.

Verdhekaltrit e patën epërsinë minimale falë një goli nga Milot Rashica, por nuk munden ta ruajnë atë pasi vendasit e barazuar rezultatin kur Stefan Mugosa realizoi me kokë njëzet minuta para fundit.

“Nuk ishte e lehtë, ata e kanë një skuadër të mirë. E shfaqën këtë edhe sonte. Fati i mirë ishte që ne arritëm të bashkohemi dhe të ecim përpëra dhe në fund rezultati ishte i merituar”, ka thënë Mugosa.

Me këtë pikë, “Dardanët” ruajnë pozitën e tretë në Grupin A me dy pikë pas dy ndeshjeve, por ngelin katër pikë larg lideres, Anglisë, dhe një pikë prapa vendit të dytë, Republikës së Çekisë, pozita të cilat çojnë në Kampionatin Evropian 2020.

Por, skuadra e Bernard Challandes bëri një hap prapa në këtë fushatë kualifikuese duke parë mungesat te kundërshtari, si kapiteni dhe mbrojtësi kryesor Stefan Savic dhe disa futbollistë të tjerë titulluar.

Një ndeshje e tensionuar në kampion malazez, për shkak se trajneri serb Ljubisa Tumbakovic, ndihmësi i tij dhe dy futbollistë tjerë me prejardhje serbe refuzuan të luanin pak orë para ndeshjes, nisi shumë mirë për verdhekaltrit.

Kosova e dominoi pjesën e parë duke krijuar shumë dhe e kontrolluar topin. Kjo u konkretizua me Milot Rashicën, i cili shënoi për 1:0 pas 24 minutave.

Dhjetë minuta para fundit, “Dardanët” e humben lojtarin më të mirë, Arbër Zenelin, i cili u detyrua ta brakisë ndeshjen pasi e dëmtoi gjurin. Vendin e tij e zuri Edon Zhegrova.

Djelmoshat e Bernard Challandes, megjithatë, nuk e ruajtën ritmin e pjesës së parë.

Kjo i kushtoi Kosovës që pranoi gol njëzet minuta para fundit. Mugosa shënoi me kokë nga afërsia duke ia mohuar fitoren e parë historike “Dardanëve” në një fushatë kualifikuese për Kampionat Evropian.

Anglia është lidere e Grupit A me gjashtë pikë, duke e lënë prapa Çekinë me tri pikë dhe Kosovën në vendin e tretë me dy pikë, aq sa ka edhe Bullgaria në pozitën e katërt.

Mali i Zi ngel në pozitën e fundit me vetëm një pikë pas tri ndeshjeve.

(Kosova Sot Online)