Challandes e tregon gabimin që ia kushtoi fitoren Kosovës

  • 08 June 2019 - 11:38
Challandes e tregon gabimin që ia kushtoi fitoren Kosovës

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, beson se gabimi i skuadrës së tij në ndeshjen kundër Malit të Zi ishte mosshfrytëzimi i rasteve për të shënuar, duke bërë kështu që ndeshja kualifikuese për Evropian të mbyllet me barazim.

Kosova u ndal me barazim 1:1 nga Mali i Zi në ndeshjen e rrethit të tretë të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, pasi dështoi t’i konkretizojë rastet e shumta në një takim që u zhvillua pa shikues në stadiumin e qytetit në Podgoricë.

“Patëm disa raste për të dyfishuar apo trefishuar avantazhin, por shpërdoruam shumë dhe për fatin tonë të keq, Mali i Zi arriti të barazojë në një nga të paktat kërcënime”, ka thënë Challandes per Supersport.

 “Ishte një ndeshje e mirë, por mund të bëjmë shumë më mirë, veçanërisht sa i përket finalizimit të aksioneve, sepse krijojmë shumë dhe me këtë sulm mund të bëjmë shumë më tepër se kaq. Unë kam pritshmëri shumë të mëdha për këtë grup, por duhet të përmirësojmë ato aspekte që na penalizojnë”.

Verdhekaltrit e patën epërsinë minimale falë një goli nga Milot Rashica, por nuk munden ta ruajnë atë pasi vendasit e barazuar rezultatin kur Stefan Mugosa realizoi me kokë njëzet minuta para fundit, raporton Gazeta Express.

“Dardanët” ruajnë pozitën e tretë në Grupin A me dy pikë pas dy ndeshjeve, por ngelin katër pikë larg lideres, Anglisë, dhe një pikë prapa vendit të dytë, Republikës së Çekisë, pozita të cilat çojnë në Kampionatin Evropian 2020. Por, skuadra e Bernard Challandes bëri një hap prapa në këtë fushatë kualifikuese duke parë mungesat te kundërshtari, si kapiteni dhe mbrojtësi kryesor Stefan Savic dhe disa futbollistë të tjerë titulluar.

Një ndeshje e tensionuar në kampion malazez, për shkak se trajneri serb Ljubisa Tumbakovic, ndihmësi i tij dhe dy futbollistë tjerë me prejardhje serbe refuzuan të luanin pak orë para ndeshjes, nisi shumë mirë për verdhekaltrit.

Kosova e dominoi pjesën e parë duke krijuar shumë dhe e kontrolluar topin. Kjo u konkretizua me Milot Rashicën, i cili shënoi për 1:0 pas 24 minutave.

Dhjetë minuta para fundit, “Dardanët” e humben lojtarin më të mirë, Arbër Zenelin, i cili u detyrua ta brakisë ndeshjen pasi e dëmtoi gjurin. Vendin e tij e zuri Edon Zhegrova.

Djelmoshat e Bernard Challandes, megjithatë, nuk e ruajtën ritmin e pjesës së parë.

Kjo i kushtoi Kosovës që pranoi gol njëzet minuta para fundit. Mugosa shënoi me kokë nga afërsia duke ia mohuar fitoren e parë historike “Dardanëve” në një fushatë kualifikuese për Kampionat Evropian.

Anglia është lidere e Grupit A me gjashtë pikë, duke e lënë prapa Çekinë me tri pikë dhe Kosovën në vendin e tretë me dy pikë, aq sa ka edhe Bullgaria në pozitën e katërt. Mali i Zi ngel në pozitën e fundit me vetëm një pikë pas tri ndeshjeve. 

(Kosova Sot Online)