Babai i Zenelit e konfirmon gjendjen e futbollistit

  • 08 June 2019 - 12:13
Babai i Zenelit e konfirmon gjendjen e futbollistit

Babai i i Arbër Zenelit, Avniu, ka bërë të ditur se lëndimi i futbollistit të Kosovës është mjaft serioz dhe se ai ka mundësi të futet në operacion. Klubi francez, Stade de Reims, i ka kërkuar Zenelit të shkojë t’i bëjë testet edhe në klub.

Kosovës i mungoi për pjesën më të madhe të ndeshjes të së premtes kundër Malit të Zi golashënuesi më i mirë i skuadrës, Arbër Zeneli, pasi që ai pësoi lëndim në minutën e 38-të të ndeshjes dhe u zëvendësua nga Edon Zhegrova.

Zeneli u kthye menjëherë mbrëmë në Prishtinë, ndërsa tani  babai i Arbërit, Avni Zeneli ka thënë për Indeksonline se djali i tij do të udhëtojë urgjentisht për në Francë.

“Me shumë gjasa do të futet në operacion. Skuadra franceze e tij e ka thirrur urgjentisht me shku atje. Te shohim çfarë po i thonë ata” ka thënë babai i Arbërit.

Kosovës i mungonin edhe disa lojtarë të tjerë të rëndësishëm në ndeshjen kundër Malit të Zi. Tre kapitenët – Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Valon Berisha – e patën të pamundur t’i bashkohen Kosovës për ndeshjet e qershorit për shkak të lëndimeve.

I fundit në këtë listë është shtuar Zeneli, mirëpo trajneri Bernard Challandes do të jetë duke shpresuar që testet që kosovari po i kryen në Prishtinë të kenë rezultat pozitiv për ndeshjen e së hënës kundër Bullgarisë.

Kosova aktualisht radhitet e treta në Grupin A të kualifikimeve për EURO 2020. Dy pozitat e para e sigurojnë një vend në Evropian, mirëpo Kosova mund ta arrijë këtë qëllim edhe përmes një rruge tjetër, përmes play-offs kualifikues, ku e siguroi një vend me triumfin në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.

Të hënën, “Dardanët” do të përballen me Bullgarinë në Sofje. Nëse Kosova e fiton këtë ndeshje dhe Republika Çeke humb ndaj Malit të Zi, skuadra e Challandes do të ngrihet në pozitën e dytë. 

(Kosova Sot Online)