Kosova kthen vëmendjen te Bullgaria

  • 08 qershor 2019 - 12:46
Kosova kthen vëmendjen te Bullgaria

Lojtarët e Kosovës u ndanë të zhgënjyer me barazimin e mbrëmshëm në Podgoricë, duke theksuar  në deklaratat pas ndeshjes se qëllim e patën t’i marrin tri pikët. Megjithatë, ata tani do të fillojnë përgatitjet për ndeshjen e ardhës, kundër Bullgarisë.

Kosova u ndal me barazim 1:1 nga Mali i Zi në ndeshjen e rrethit të tretë të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, pasi dështoi t’i konkretizojë rastet e shumta në një takim që u zhvillua pa shikues në stadiumin e qytetit në Podgoricë.

Verdhekaltrit e patën epërsinë minimale falë një goli nga Milot Rashica, por nuk munden ta ruajnë atë pasi vendasit e barazuar rezultatin kur Stefan Mugosa realizoi me kokë njëzet minuta para fundit.

Me këtë pikë, “Dardanët” ruajnë pozitën e tretë në Grupin A me dy pikë pas dy ndeshjeve, por ngelin katër pikë larg lideres, Anglisë, dhe një pikë prapa vendit të dytë, Republikës së Çekisë, pozita të cilat çojnë në Kampionatin Evropian 2020.

Të hënën, “Dardanët” do të përballen sërish me Bullgarinë në Sofje. Nëse Kosova e fiton këtë ndeshje dhe Republika Çeke humb ndaj Malit të Zi, skuadra e Challandes do të ngrihet në pozitën e dytë.

Megjithatë, skuadra e Challandes nuk do ta ketë të lehtë ta arrijë këtë qëllim, pasi që as në “Fadil Vokrri” nuk kishte arritur të siguronte fitore kundër Bullgarisë, përkundër që e kishte dominuar ndeshjes. Rezultati përfundimtar kishte qenë 1:1 në atë ndeshje të marsit.

Bullgaria ka radhitje më të mirë sesa Mali i Zi në ranglistën e FIFA-s. Ajo radhitet në pozitën e 51-të, apo dy pozita më lart sesa malaziasit. Në anën tjetër Kosova radhitet në pozitën e 127-të.

Kosova mund ta sigurojë një vend në EURO 2020 edhe nëse nuk e zë njërën ndër dy pozitat e para në Grupin A. “Dardanët” e kanë edhe një rrugë të dytë për ta arritur qëllimin, përmes play-offs kualifikues, ku e siguroi një vend me triumfin në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve. 

(Kosova Sot Online)