Rashica komenton barazimin me Malin e Zi: Luftuam deri në fund

  • 08 June 2019 - 12:50
Rashica komenton barazimin me Malin e Zi: Luftuam deri në fund

Golashënuesi i vetëm i Kosovës në ndeshjen e mbrëmshme kundër Malit të Zi, Milot Rashica, është ndarë i zhgënjyer me barazimin 1:1 të së premtes, mirëpo tani ka bërë të ditur se do të përqendrohet te ndeshja e radhës, kundër Bullgarisë.

Kosova u ndal me barazim 1:1 nga Mali i Zi në ndeshjen e rrethit të tretë të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, pasi dështoi t’i konkretizojë rastet e shumta në një takim që u zhvillua pa shikues në stadiumin e qytetit në Podgoricë.

Verdhekaltrit e patën epërsinë minimale falë një goli nga Milot Rashica, por nuk munden ta ruajnë atë pasi vendasit e barazuar rezultatin kur Stefan Mugosa realizoi me kokë njëzet minuta para fundit.

Rashica e ka shfrytëzuar llogarinë e tij në Instagram për ta komentuar këtë ndeshje.

“Nuk arritëm rezultatin qe dëshironim por luftuam deri në fund. Fokusohemi për ndeshjen e radhës. Kosova, krenarë”, ka shkruar Rashica në Instagram.

(Kosova Sot Online)