Gazeta malaziase: Trajneri serb u detyrua të zgjedhë mes ndeshjes dhe jetës

  • 08 June 2019 - 14:49
Gazeta malaziase: Trajneri serb u detyrua të zgjedhë mes ndeshjes dhe jetës

E përditshmja malaziase, Vijesti, raporton se Ljubisa Tumbakovic, i cili tani është shkarkuar nga pozita e trajnerit të Malit të Zi, kishte refuzuar ta drejtojnë skuadrën e tij në ndeshjen kundër Kosovës pasi që jeta e tij ishte në rrezik.

Pas presionit të madh politik nga Beogradi, trajneri serb Ljubisa Tumbakovic dhe ndihmës trajneri i parë, Sasa Jankovic, u tërhoqën pak orë para ndeshjes kundër Kosovës, së bashku me dy futbollistë të tjerë.

Mali i Zi u udhëhoq në këtë ndeshje, që përfundoi me rezultat 1:1 në Podgoricë, ish-futbollist i kësaj Kombëtareje, Miodrag Dzudovic. Pas ndeshjes, Federata e Futbollit e Malit të Zi vendosi ta shkarkojë Tumbakovicin nga pozita e trajnerit sepse e shkeli kontratën duke mos pranuar ta drejtojë Kombëtaren malaziase kundër Kosovës.

“Për herë të parë në karrierën e tij – që nuk ishte e shkurtë – Tumbakovic ishte në një situatë të cilës ai dhe lojtarët i ishin frikësuar – ata duhet ta bënin një zgjedhje: Ndeshja kundër Kosovës apo jeta”, shkruan Vijesti.

“Nga Beogradi kishte sinjale të qarta, ta pakëndshme që të luash në ndeshjen kundër Kosoës ishte sakrilegj, disfatë, tradhti. Këto sinjale ishin më të forta sesa futbolli dhe ndeshja”.

Për dallim nga fati i trajnerit, gazeta beogradase, Informer, raporton se Filip Stojkovicit dhe Mirko Ivanicit u është dhënë edhe një mundësi e dytë nga Federata e Futbollit e Malit të Zi. Një gjë e tillë kuptohet edhe nga deklarata e lëshuar nga Federata malaziase.

“Anëtarët e Bordit Ekzekutiv e shprehën keqardhjen e tyre për presionin nga disa rrethe për të mos i lejuar Filip Stojkovicin dhe Mirko Ivanicin të luajnë kundër Kosovës dhe që gjërat josportive në këtë rast fituan kundër futbollit”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga Federata malaziase.

 “Anëtaret e Bordit Ekzekutiv morën vendim unanim për ta zëvendësuar Ljubisa Tumabkovicin për shkak të vendimit për të mos e drejtuar skuadrën e Malit të Zi, që ishte një befasi e padëshiruar dhe një shkelje e obligimeve profesionale të kontratës”. 


(Kosova Sot Online)