Reja e kthen lojën e bukur, por jo edhe fitoren

  • 08 June 2019 - 17:04
Reja e kthen lojën e bukur, por jo edhe fitoren

Trajner i ri, avaz i vjetër! Shqipëria nuk ia del as ndaj Islandës dhe humbet me rezultatin 1-0 me një gol të Gudmundsson në minutën e 22'. Ekipi ynë dhuroi një tjetër paraqitje të shëmtuar me gabime në mbrojtje dhe pa dëshirë e grintë. Reja nuk ka shkopin magjik dhe e nis me humbje.

Ekipi ynë bëri mjaft mirë në minutat e para të ndeshjes duke bërë presing lart dhe duke qëndruar në gjysmëfushën e kundërshtarit. Hysaj në minutën e 4' dha një shkëndijë të mirë duke gjuajtur nga larg. Goditja e shkodranit gjeti reagimin e mirë të portierit vendas.

Islanda reagoi në minutën e 22' me anë të Gudmundsson. Ai mori një top në mesfushën tonë dhe çan mbrojtjen e formuar nga Ismajli dhe Dermaku. Lojtari del përballë Berishës dhe e dërgon topin në rrjetë për 1-0. Pjesa e mbetur e minutave nuk solli ndonjë rast tjetër të rrezikshëm dhe kemi 45 minuta për të kthyer rezultatin.

Në minutat e fundit të pjesës së parë, Shqipëria duhej të fitonte një penallti në rast se gjyqtari i sfidës, Madden, do të tregohej i saktë. Rrëmujë në zonë dhe topi i krosuar gjen dorën e një prej lojtarëve të Islandës. Kapiteni e ndal me dorë dhe gjyqtari me pamje të qartë nuk e akordon si të tillë.

U mendua se pjesa e dytë do të shihte një ekip me agresiv në fushën e lojës, por nuk ndodhi ashtu. Ekipi ynë nuk ia doli për asnjë moment që të rrezikonte seriozisht portën e Islandës. Lojtarët tanë nuk u treguan të saktë dhe nuk dolën përpara portierit. Kuqezinjtë u munduan të luanin me topa të gjatë dhe krosime në zonë kur përballë kishin një ekip shtatlartë. Strategji e gabuar.

Aktivizimi i Kaçes, Ndojit dhe Sadikut nuk ndryshoi asgjë në fushën e lojës dhe përfundimisht, Shqipëria merr një humbje që dhemb 1-0 ndaj Islandës. Keqardhje për kuqezinjtë, pasi përballë kishim një rival shumë të dobët. Islanda u shfaq shumë larg nivelit të Botërorit dhe nuk na rrezikoi aspak.

Shqipëria ndodhet në vendin e 4 pas 3 ndeshjeve të luajtura duke koleksionuar 2 humbje dhe 1 fitore. Një nisje shumë e dobët, duke qenë se skuadra jonë nuk ka luajtur ende me Francën. Takimi i radhës është kundër Moldavisë, aty ku fitorja është detyrim.

(Kosova Sot Online)