Reagon FFK-ja, kjo është e vërteta që ndodhi në Bullgari

  • 08 June 2019 - 19:28
Reagon FFK-ja, kjo është e vërteta që ndodhi në Bullgari

Federata e Futbollit e Kosovës demanton raportimet e mediave se stërvitja e sotme në Sofje është ndërprerë për kinse provokimet nga tifozët bullgarë. Raportimet e tilla në prag të ndeshjes janë qëllimkëqija dhe si të tilla ne si FFK i vlerësojmë të dëmshme edhe për atmosferën në ekipin kombëtar.

Stërvitja e sotme ka shkuar sipas parashikimeve të stafit të trajnerëve, ku pjesa e futbollistëve që kanë luajtur në ndeshjen e djeshme në Podgoricë kanë bërë vetëm rigjenerim, derisa pjesa e futbollistëve që nuk kanë luajtur kanë ushtruar me intensitet më të lartë. FFK falënderon Federatën bullgare për mikpritjen dhe organizimin e mirë.

E gjithë ekspedita e Kombëtares ndihet shumë komod dhe për asnjë moment nuk ka vërejtur ndonjë provokim. Sa i përket raportimeve se ka pasur thirrje raciste, një gjë e tillë nuk është dëgjuar nga pjesa e stafit të kombëtares.

(Kosova Sot Online)