Ministri nga Serbia bën homazhe te varri i Fadil Vokrrit

  • 09 June 2019 - 12:51
Ministri nga Serbia bën homazhe te varri i Fadil Vokrrit

Ministri serb dhe ish-zëvendëspresidenti i klubit të Partizanit nga Beogradi, Branko Ruzic, e ka nderuar legjendën e futbollit shqiptar, Fadil Vokrrin, duke bërë homazhe te varri i tij në Prishtinë, në njëvjetorin e vdekjes.

Branko Ruzic, tani ministër i Administratës Shtetërore dhe Qeverisjes Lokale në Serbi, bëri homazhe te varri i Fadil Vokrrit në Prishtinë, në njëvjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në këtë ditë një vjet më parë, vendi e humbi njeriun më të rëndësishëm në historinë e sportit, atë që e krijoi Kombëtaren dardane dhe i bindi dy shtëpitë qeverisëse të futbollit botëror dhe evropian, FIFA-n dhe UEFA-n, ta pranojnë Kosovën në foletë e veta.

Gjatë karrierës së tij të bujshme si futbollist, Vokrri ka luajtur edhe për Partizanin e Beogradit, klubit zëvendëspresident i të cilit deri në vitin 2003 ishte Ruzic. Gjatë tre vjetëve në fanellën e Partizanit nga 1986 deri më 1989, Vokrri i regjistroi 107 paraqitje, 47 gola dhe ishte ndër më meritorët që klubi e fitoi titullin dhe kupën.

Pas vdekjes së Vokrrit më 9 qershor të vitit 2018, Ruzic kishte thënë fjalë të mëdha për legjendën shqiptare.

“Ju ishit vëllai im i ndershëm. Mik, njeri i madh dhe partizanas deri në thelb. Faleminderit Fadil për gjithçka. Prehu në paqe” kishte shkruar ai në Twitter.

(Kosova Sot Online)