Ronaldo: Për mua është nder i madh ta bart fanellën e Portugalisë

  • 09 June 2019 - 15:45
Ronaldo: Për mua është nder i madh ta bart fanellën e Portugalisë

Cristiano Ronaldo pohon se për të nuk ka nder më të madh sesa bartja e fanellës së ekipit kombëtar dhe këmbëngul se është ndjenjë më e veçantë sesa ta veshësh fanellën e klubit.

Portugalia do të luftojë sonte në Porto kundër Holandës për trofeun e Ligës së Kombeve, garës inauguruese të UEFA-s, me Ronaldon që do ta zhvillojë finalen e tretë të madhe me ekipin kombëtar, pas finales së EURO 2004, të cilën e humbi ndaj Greqisë, dhe finalen e EURO 2016, të cilën e fitoi ndaj Francës – trofeu i parë për CR7 me Portugalinë.

Ronaldo ia siguroi Portugalisë finalen në ndeshjen e tij debutuese në Ligën e Kombeve, duke realizuar het-trik ndaj Zvicrës në gjysmëfinale. 

Pa praninë e Cristianos, Portugalia e siguroi gjysmëfinalen, por gjithsesi iu desh ndihma e madhe e pesë herë fituesit të Topit të Artë për të arritur në finale. Ylli i Juventusit shënoi dy gola të shpejtë dy minuta para fundit të ndeshjes për t’ia siguruar fitoren portugezëve 3:1 kundër Zvicrës.

I pyetur nga UEFA sesi ndihet që është kthyer në ekipin kombëtar dhe pasi ka shënuar gola për Portugalinë, Ronaldo tha: “Për mua gjithmonë është nder të rikthehem në ekipin kombëtar. Është vendi im dhe është nder i madh ta vesh këtë fanellë. Natyrisht, të jesh pjesë e garës është diçka edhe më e veçantë dhe kur shënon është qershia mbi tortë”.

Ai u pyet edhe si ndihet që tani është në finalen e tretë të madhe me Portugalinë pas EURO 2004 dhe EURO 2016, Ronaldo tha: “Siç thashë, kur e vesh fanellën e ekipit kombëtar, ndihem shumë i nderuar dhe është një ndjenjë ndryshe nga ajo kur luan për klubin. Ky është vendi im: familjen e kam portugeze, miqtë i kam portugezë. Unë jam rritur në Portugali. Natyrisht është ndjenjë shumë më e veçantë kur luan për trofe me këtë fanellë, siç ka qenë në EURO 2004 dhe EURO 2016.”

(Kosova Sot Online)