Challandes, Ujkani… flasin në njëvjetorin e vdekjes së Fadil Vokrrit

  • 09 June 2019 - 16:12
Challandes, Ujkani… flasin në njëvjetorin e vdekjes së Fadil Vokrrit

Kombëtarja e Kosovës, e cila ndodhet në Sofje për ndeshjen kualifikuese kundër Bullgarisë, sot, me rastin e një vjetorit të ndarjes nga jeta e ka nderuar ish-presidentin Fadil Vokrri, me një koreografi simbolike dhe me një minutë heshtje në ambientet e hotelit ku është akomoduar.

Para futbollistëve një fjalë rasti e ka mbajtur nënkryetari i FFK-së, Bakir Burri, i cili theksoi se periudha njëvjeçare pa Legjendën ka qenë e vështirë.

“Jemi mbledhur këtu për të nderuar mikun dhe udhëheqësin tonë, Fadil Vokrri. Ky vit më ka shkuar më ngadalë se 40 vite që jam shoqëruar së bashku me të. Të gjithë kemi çfarë të kujtojmë e përmendim. Të gjithë që e kanë njohur e dinë sa i madh ka qenë dhe i madh ka mbetur. Do të kisha dëshiruar që rrugëtimi i tij të vazhdohet dhe fjalët e tij t’i nderojmë e respektojmë”, ka theksuar Burri.

Ndërkohë, kujtime për ish-presidentin Vokrri evokuan edhe miku i tij, Muharrem Sahiti, përzgjedhësi Bernard Challandes dhe portieri Samir Ujkani, të cilët e vlerësuan lartë kontributin dhe veprën e Legjendës, me shpresën se sukseset e Kombëtares nuk do të mungojnë as në të ardhmen.

Bernard Challandes, trajneri i Kosovës:

“Ishte kohë shumë e mirë për mua, nuk kemi diskutuar shumë për detajet e kontratës, Fadili ishte President dhe që njihte mirë futbollin, kjo ishte shumë e rëndësishme për mua, sepse ne mund të bisedonim për futbollin. Ai më tha ne kemi këtë kontratë për ty, pranoje ose jo. Unë e pranova dhe menjëherë pastaj kemi diskutuar për ekipin dhe futbollistët se si të zhvillohen. E kuptova menjëherë se ne flisnim gjuhën e futbollit. Nuk e kujtojë Fadilin më parë, nuk e kam ditur që ka luajtur edhe në Francë, të gjitha këto i kam zbuluar më vonë, ai thoshte atë që mendonte, ka qenë një luftëtar i madh. E shoh që të gjithë njerëzit e kujtojnë me mall sepse ai ka lënë vepër të madhe pas”.

Muharrem Sahiti, ndihmës trajneri i Kosovës:

“Këtë vit Fadil Vokrri na ka munguar shumë, por jemi munduar të ecim në të njëjtën rrugë që na diktoi ai. Fizikisht nuk ka qenë me ne, por amanetin e tij po mundohemi ta çojmë deri në fund, pasi Fadili donte kualifikimin në kompeticione të rëndësishme dhe duam t’ia plotësojmë këtë dëshirë”.

Samir Ujkani, kapiteni i Kosovës:

“Është një ditë shumë emocionuese për ne, pasi ka një vit që na mungon presidenti jonë, ai që na ka sjellë te kjo ëndërr, ku mund të përfaqësojmë shtetin tonë. Të gjithë e kemi ëndërruar këtë moment dhe tani e kemi për detyrë që të vazhdojmë ëndrrën e tij dhe të bëjmë këtë mrekulli, të gjithë së bashku, të kualifikohemi sa më shpejt”.


(Kosova Sot Online)