Edhe Bullgaria favorite ndaj Kosovës, sipas bastoreve botërore

  • 10 June 2019 - 11:22
Edhe Bullgaria favorite ndaj Kosovës, sipas bastoreve botërore

Bastoret kryesore botërore janë duke e favorizuar lehtësisht Bullgarinë kundër Kosovës në përballjen e Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, e cila do të zhvillohet sonte në Sofje.

Njëra prej shtëpive më të mëdha të basteve, Bet365, e sheh Bullgarinë si favorite të lehtë pasi i ka vënë kuotën 2.45 për të fituar, derisa fitores së Kosovës i vë kuotë pak më të lartë, 3.25. Barazimi vlerësohet me kuotën 3.20,

Bet365 e kishte favorizuar bindshëm Malin e Zi në përballjen e së premtes në Podgoricë, e cila u mbyll pa fitues 1:1 edhe pse Kosova ishte skuadër më e mirë në fushë.

Bullgaria e pret sonte Kosovën në stadiumin kombëtar Vasil Levski në Sofje, në një ndeshje të rrethit të katërt të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Verdhekaltrit vijnë nga një barazim zhgënjyes me Malin e Zi të premten në Podgoricë dhe kanë udhëtuar drejt Sofjes me katër mungesa shumë të rëndësishme, mesfushorët kryesorë Valon Berisha, Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala, të cilët mungojnë si pasojë e lëndimeve, dhe futbollistin e tyre më të mirë, Arbër Zenelin, i cili u dëmtuar rëndë ndaj malazezëve.

Kosova debutoi në një fushatë kualifikuese për Kampionat Evropian pikërisht kundër Bullgarisë me një barazim 1:1 në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në muajin mars. Ngjashëm si atëherë, edhe të premten djelmoshat e Bernard Challandes barazuan 1:1 me Malin e Zi dhe tani kanë dy pikë nga po aq ndeshje, në një grup të cilit i prin Anglia me gjashtë pikë.

“Dardanët” janë të pamposhtur në 13 ndeshjet e fundit garuese dhe miqësore, tetë fitore dhe pesë barazime, por nuk e kanë shijuar fitoren në tri ndeshjet e fundit, apo që prej triumfit madhështor ndaj Azerbajxhanit në fund të vitit të kaluar në Ligën e Kombeve.

Bullgaria, ndërkohë, nuk ka fituar në gjashtë ndeshjet e fundit, duke humbur dy herë dhe duke barazuar katër herë të tjera. Për herë të fundit, Kombëtarja bullgare shijoi fitoren në tetor kundër Qipros në Ligën e Kombeve.

Në bazë të statistikave, Kosova qëndron më mirë se Bullgaria, por kjo e fundit do të luajë në terren vendas dhe do ta ketë përkrahjen e tifozëve të vet, që janë përparësitë e saj në këtë ndeshje.

Image

 

 

(Kosova Sot Online)