Statistikat e ndeshjes Bullgari – Kosovë që e dëshmojnë dominimin e “Dardanëve”

  • 11 June 2019 - 08:23
Statistikat e ndeshjes Bullgari – Kosovë që e dëshmojnë dominimin e “Dardanëve”

Kosova dje e shënoi fitoren e parë në histori në kuadër të kualifikimeve për një turne të madh futbolli, siç është Kampionati Evropian apo ai Botëror. Këtë sukses, “Dardanët” e arritën duke e mposhtur Bullgarinë në Sofje me rezultat 3:2.

Skuadra e Bernard Challandes ishte dominuese për pjesën më të madhe të ndeshjes të së hënës kundër Bullgarisë, e cila u zhvillua në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Kosova kaloi në epërsi qysh pas 14 minutave lojë, përmes Milot Rashicës. Megjithatë, pak para fundit të pjesës së parë, bullgarët u përgjigjën me një gol nga Ivelin Popov. Lojtarët e Bullgarisë e filluan pjesën e dytë dhe kaluan në epërsi pas 10 minutave, përmes Christian Dimitrovit.

Megjithatë, “Dardanët” nuk u dorëzuan përkundër që bullgarët ua kishin përmbysur rezultatin. Puna e tyre u shpërblye në minutën e 64-të të ndeshjes, kur Vedat Muriqi realizoi me kokë, pas një harkimi të mirë nga Benjamin Kololli.

Përderisa trajneri Challandes tha pas ndeshjes se ai do të kishte qenë i kënaqur edhe vetëm me një pikë nga kjo ndeshje, djemtë e tij në këtë ndeshje u siguruan që ata t’i marrin të tri pikët në dispozicion, pasi që Elbasan Rashani dhe Milot Rashica kombinuan për ta shënuar golin e fitores në minutën e 92-të të ndeshjes.

Statistikat e ndeshjes:

Image

 

Me këtë fitore, Kosova radhitet në pozitën e tretë në tabelën e Grupit A, vetëm me një pikë më pak sesa Anglia dhe Republika Çeke. Megjithatë, Anglia e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Tabela e Grupit A:

Image

 

(Kosova Sot Online)