Bastorja e famshme sportive: Kurrë mos e nënvlerësoni Kosovën

  • 11 June 2019 - 08:28
Bastorja e famshme sportive: Kurrë mos e nënvlerësoni Kosovën

Kosova shënoi fitore tejet dramatike, me rezultat 3:2, kundër Bullgarisë në ndeshjen kualifikuese për EURO 2020. Mënyra e sigurimit të kësaj fitore e la të mahnitur bastoren e famshme sportive, Bet365.

Skuadra e Bernard Challandes arriti ta kthejë rezultatin në ndeshjen e mbrëmshme kundër Bullgarisë në mënyrë tejet senzacionale, duke e shënuar golin e fitores vetëm disa momente para fundit.

Kjo ka bërë që bastorja e famshme sportive Bet365 të mbetet e mahnitur me formën e “Dardanëve” që s’dinë të dorëzohen dhe s’dinë për humbje që 14 ndeshje të zhvilluara.

“Bullgaria 0:1 Kosova. Bullgaria 1:1 Kosova. Bullgaria 2:1 Kosova. Bullgaria 2:2 Kosova. Bullgaria 2:3 Kosova. Kurrë, kurrë mos e nënvlerësoni Kosovën”.

Kosova kaloi në epërsi qysh pas 14 minutave lojë, përmes Milot Rashicës. Megjithatë, pak para fundit të pjesës së parë, bullgarët u përgjigjën me një gol nga Ivelin Popov. Lojtarët e Bullgarisë e filluan pjesën e dytë dhe kaluan në epërsi pas 10 minutave, përmes Christian Dimitrovit.

Megjithatë, “Dardanët” nuk u dorëzuan përkundër që bullgarët ua kishin përmbysur rezultatin. Puna e tyre u shpërblye në minutën e 64-të të ndeshjes, kur Vedat Muriqi realizoi me kokë, pas një harkimi të mirë nga Benjamin Kololli.

Përderisa trajneri Challandes tha pas ndeshjes se ai do të kishte qenë i kënaqur edhe vetëm me një pikë nga kjo ndeshje, djemtë e tij në këtë ndeshje u siguruan që ata t’i marrin të tri pikët në dispozicion, pasi që Elbasan Rashani dhe Milot Rashica kombinuan për ta shënuar golin e fitores në minutën e 92-të të ndeshjes.

Me këtë fitore, Kosova radhitet në pozitën e tretë në tabelën e Grupit A, vetëm me një pikë më pak sesa Anglia dhe Republika Çeke. Megjithatë, Anglia e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Tabela e Grupit A:

Image

 

(Kosova Sot Online)