Ndeshjet e ardhshme të Kosovës: Kundër Çekisë e Anglisë

  • 11 June 2019 - 09:07
Ndeshjet e ardhshme të Kosovës: Kundër Çekisë e Anglisë

Të hënën në mbrëmje, Kosova e zhvilloi ndeshjen e dytë dhe të fundit për muajin qershor. Tani, “Dardanët” nuk do ta përfaqësojnë vendin e tyre deri pas tre muajve, në shtator.

Në muajin shtator, Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje tejet të rëndësishme në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020 – kundër Republikës Çeke dhe kundër Anglisë.

Të dyja këto ndeshje do të zhvillohen në kuadër të Grupit A për kualifikimeve në Evropian, ku aktualisht Kosova radhitet në pozitën e tretë, pas dy kundërshtarëve të saj të ardhshme.

Tabela e Grupit A:

Image

 

 

Për t’i rritur gjasat për kualifikim drejtpërdrejt nga ky grup, Kosova do ta zhvillojë së pari ndeshjen shumë të rëndësishme kundër Çekisë. Kjo ndeshje do të zhvillohet më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Vetëm tri ditë më vonë, futbollistët e Kosovës do të përballen me njërën ndër Kombëtaret më të mëdha në botë, Anglinë, në stadiumin “St.Mary’s”, në Angli. Tashmë veçse janë shitur të gjitha biletat për këtë ndeshje.

Kosova aktualisht renditet në pozitën e 127-të në ranglistën e FIFA-s, mirëpo barazimi me Malin e Zi dhe fitorja kundër Bullgarisë pritet ta ngrenë atë në këtë radhitje. Në anën tjetër, Anglia radhitet e katërt, ndërsa Çekia e 48-ta.

Anglia ka më së shumti gjasa ta fitojë këtë grup, kështu që Kosova e ka kundërshtaren më të fortë për pozitën e dytë, që ta siguron kualifikimin në EURO 2020, Çekinë.

Megjithatë, edhe nëse nuk e zë njërën ndër dy pozitat e para në këtë grup, Kosova mund të kualifikohet përmes play-offs, ku e siguroi vendin në gjysmëfinale duke triumfuar në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.

(Kosova Sot Online)