Gazeta bullgare: E merituam humbjen kundër Kosovës

  • 11 June 2019 - 09:49
Gazeta bullgare: E merituam humbjen kundër Kosovës

Gazeta bullgare, Sportal.bg, raporton se Kombëtarja e Bullgarisë e meritoi disfatën në ndeshjen kundër Kosovës, e cila përfundoi me rezultat 3:2 për “Dardanët” që po luanin si mysafirë në Sofje.

Skuadra e Bernard Challandes ishte dominuese për pjesën më të madhe të ndeshjes të së hënës kundër Bullgarisë, e cila u zhvillua në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

“Kombëtarja e Bullgarisë e përjetoi njërën ndër humbjet me të turpshme në histori kundër Kosovës në stadiumin “Vasil Levski”. Problemi më i madh ishte se disfata ishte e merituar, përkundër disa momenteve të mira gjatë ndeshjes”, shkruan Sportal.bg.

“Në fushë, Kosova ishte më sulmuese. Bullgaria ishte e suksesshme në mbrojtje deri në minutën e 92-të, kur Rashani e goditi Bullgarinë dhe i çmendi tifozët e futbollit në Prishtinë. Sulmuesi shënoi gol dhe u bë heroi i një kombi që e ka fituar ndeshjen e parë kualifikuese”.

“Nga qielli po binte shumë shi, sikur të ishte duke qarë për tifozët bullgarë që nuk e panë skuadrën e tyre të fitojë dhe t’i rrisë gjasat për të garuar në turneun e parë të madh, pas 16 vjetëve. Ata e pranuan se kundërshtari i tyre ishte më mirë i përgatitur”.

Kosova kaloi në epërsi qysh pas 14 minutave lojë, përmes Milot Rashicës. Megjithatë, pak para fundit të pjesës së parë, bullgarët u përgjigjën me një gol nga Ivelin Popov. Lojtarët e Bullgarisë e filluan pjesën e dytë dhe kaluan në epërsi pas 10 minutave, përmes Christian Dimitrovit.

Megjithatë, “Dardanët” nuk u dorëzuan përkundër që bullgarët ua kishin përmbysur rezultatin. Puna e tyre u shpërblye në minutën e 64-të të ndeshjes, kur Vedat Muriqi realizoi me kokë, pas një harkimi të mirë nga Benjamin Kololli.

Përderisa trajneri Challandes tha pas ndeshjes se ai do të kishte qenë i kënaqur edhe vetëm me një pikë nga kjo ndeshje, djemtë e tij në këtë ndeshje u siguruan që ata t’i marrin të tri pikët në dispozicion, pasi që Elbasan Rashani dhe Milot Rashica kombinuan për ta shënuar golin e fitores në minutën e 92-të të ndeshjes.

Me këtë fitore, Kosova radhitet në pozitën e tretë në tabelën e Grupit A, vetëm me një pikë më pak sesa Anglia dhe Republika Çeke. Megjithatë, Anglia e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Tabela e Grupit A:

Image

 

(Kosova  Sot Online)