Hadërgjonaj: Kjo është Kosova ime, vendi që e dua më shumë se gjithçka

  • 11 June 2019 - 11:10
Hadërgjonaj: Kjo është Kosova ime, vendi që e dua më shumë se gjithçka

Mbrojtësi i krahut të djathtë të ekipit kombëtar të Kosovës, Florent Hadërgjonaj, e vazhdoi festën për fitoren 3:2 kundër Bullgarisë edhe me postimin e tij në rrjetin social Facebook, ku e shprehur dashurinë e tij për Kosovën.

Kosova shënoi fitoren e parë në kualifikime për një turne të madh futbolli, siç është Kampionati Evropian 2020. Këtë sukses “Dardanët” e arritën duke e mposhtur Bullgarinë në Sofje, në ndeshjen e vlefshme për Grupin A të kualifikimeve në EURO 2020.

Hadërgjonaj u inkuadrua në këtë ndeshje nga minuta e 62-të, kur e zëvendësoi Mërgim Vojvodën. Në minutat në vazhdim, ai ishte i përfshirë në aksionet që e sollën fitoren dramatike të skuadrës së Bernard Challandes.

“Kjo është KOSOVA ime, ky është vendi që e dua më shumë se gjithçka”, shkruan Hadërgjonaj në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Facebook.

Hadërgjonaj iu bashkua Kosovës vetëm muajin e kaluar, kur kaloi nga Zvicra te “Dardanët”. Që nga atëherë, ai e ka shprehur vazhdimisht dashurinë e tij për Kosovën, por edhe për gjuhën shqipe.

Me këtë fitore, Kosova radhitet në pozitën e tretë në tabelën e Grupit A, vetëm me një pikë më pak sesa Anglia dhe Republika Çeke. Megjithatë, Anglia e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Tabela e Grupit A:

Image

 

 

 

 

 

Image

(Kosova Sot Online)