Feronikeli mëson kundërshtarin në Ligën e Kampionëve

  • 11 June 2019 - 12:42
Feronikeli mëson kundërshtarin në Ligën e Kampionëve

Feronikeli do të përballet me klubin nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps, në gjysmëfinale të fazës parakualifikuese. Në finale, Feronikeli mund të ndeshet me fituesit e gjysmëfinales tjetër, mes Tre Pennes dhe Santa Colomas.

Pasi që u shpall kampione e Ipko Superligës së Kosovës, Feronikeli e fitoi edhe të drejtën e pjesëmarrjes në fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve, për të cilën u hodh shorti sot në orën 12:00.

Ndeshjet e para gjysmëfinale do të zhvillohen më 25 qershor, ndërsa ndeshja finale, e cila siguron edhe një vend në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, zhvillohet vetëm tri ditë më vonë, më 28 qershor.

Të gjitha ndeshjet e këtij sezoni do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Fituesi i këtyre ndeshjeve garon në rundin e para kualifikues për Ligën e Kampionëve dhe kundërshtari i tyre mësohet në shortin e 18 qershorit. 

Edhe nëse Feronikeli e humb këtë përballje, rrugëtimi i tyre në Evropë nuk do të mbyllet me kaq pasi që klubi drenicas do ta ketë mundësinë të luajë në Ligën e Evropës, në rundin e dytë.

Lincolnd Red Imps nga Gjibraltari dhe Santa Colomba nga Andorra morën pjesë në këtë short si dy skuadrat më të mira, ndërsa Tre Penne nga San Marino dhe Feronikeli nga Kosova si dy skuadrat më të dobëta nga ky grup.

Në këtë fazë parakualifikuese marrin pjesë kampionët e katër ligave vendore me rangimet më të ulëta Rangimet për Federata sipas Koeficientëve të Klubit 2018. Dy klubet me koeficient më të mirë nga UEFA radhiten në vazon e parë. 

Image

(Kosova Sot Online)