Kosova zyrtarisht kandidate për “Euro 2020”

  • 11 June 2019 - 14:15
Kosova zyrtarisht kandidate për “Euro 2020”

Dorëzohen Bullgaria dhe Mali i Zi, Kosova sfidon Anglinë dhe Çekinë.
 

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, e ka lavdëruar skuadrën verdh e kaltër për paraqitjen e shkëlqyeshme në Sofje, ku Kosova në mënyrë spektakolare fitoi kundër Bullgarisë me rezultat 3:2.

Kjo ishte fitorja e parë e Kosovës në kampanjën kualifikuese për “Euro 2020” pas dy barazimeve rresht – përballë Malit të Zi në Podgoricë dhe Bullgarisë në Prishtinë.

“Është fitorja e parë në kualifikime. Jam i lumtur për fitoren. Ekipi meritoi fitoren. Ishim të zhgënjyer në ndeshjen e parë në Prishtinë. Ishim të zhgënjyer edhe në Mal të Zi, por tani jemi shpërblyer për punën, dhe mentalitetin sulmues. Në kohën sa ishim 2 me 2, nuk mund ta kontrolloja ekipin. Lojtarët shkonin vazhdimisht përpara dhe në fund morën shpërblimin e merituar. Jam shumë i lumtur për lojtarët. Kanë bërë lojë shumë të mirë”, ka thënë Challandes.

Trajneri zviceran ka shprehur habi me kombëtaren duke marrë parasysh moshën mesatare tejet të re të lojtarëve. Thotë se kjo ë se kjo është shenjë shumë e mirë për të ardhmen e Kosovës.

Ndërkohë, Challandes ka treguar se si i kishte motivuar futbollistët para se të dilnin në fushën bullgare.

“U kam folur për historinë e Kosovës që ka vuajtur shumë vjet. U kam thënë lojtarëve se ju nuk mund të jeni lojtarë si të tjerët duke marrë parasysh vuajtjet e prindërve dhe gjeneratave të shkuara në Kosovë. Ata ishin të mrekullueshëm. Luajtën me zemër për Kosovë”, tha ai.

Pas tri xhirosh Kosova është e treta në Grupin A me 5 pikë, vetëm me një pikë më pak sesa Anglia dhe Cekia që konsiderohen favorite për dy vendet e para të grupit.

Por, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se pas fitores në Bullgari Kombëtarja e Kosovës zyrtarisht bëhet konkurrente për kualifikim në “Euro 2020”.

Ndërkohë, humbja e pësuar nga Kosova e ka le ka lënë Bullgarinë në vendin e katërt në grup me dy pikë, sa ka edhe Mali i Zi në vendin e fundit. Sikurse malazezët, ashtu edhe bullgarët tashmë i kanë humbur shpresat për kualifikim në “Euro 2020”.

Trajneri i bullgarëve, Krasimir Balakov, pas humbjes nga “Dardanët” e pranoi se Kosova me meritë fitoi në Sofje dhe se skuadra verdh e kaltër ka futbollistë më të mirë sesa kombëtarja bullgare. 

(Kosova Sot Online)