Mallkimi i fanellës me numër shtatë në Man United, pas largimit të Ronaldos

  • 12 June 2019 - 09:13
Mallkimi i fanellës me numër shtatë në Man United, pas largimit të Ronaldos

Cristiano Ronaldo u bë njëri ndër futbollistët më të mirë në botë gjatë kohës së tij në Manchester United.

Ai u transferua te “Djajtë e kuq” kur ishte ende një adoleshent i panjohur në vitin 2003, megjithatë portugezi shumë shpejt arriti t’i bëjë të gjithë ta vlerësojmë si njërin ndër lojtarët më të mirë në botë.

Pasi fitoi pothuajse gjithçka që ishte e mundur me klubin anglez, Ronaldo vendosi të largohet nga Mançesteri dhe u shpërngul në Madrid gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2009.

Tani kanë kaluar 10 vjet nga dita kur Real Madridi dhe Manchester Unitedi arritën marrëveshje për 80 milionë funte për Ronaldon.

Ai u largua zyrtarisht vetëm disa javë më vonë, ndërsa fanella me numër shtatë iu besua Michael Owenit.

Por, që nga atëherë, ajo fanellë u bë e “mallkuar”. Oweni nuk pati sukses gjatë kohës së tij në Manchester United. Përveç golin të fitores në fund të ndeshjes kundër Manchester Cityt, karriera e tij me “Djajtë e kuq” u definua nga lëndimet. Ai i shënoi vetëm pesë gola në Premierligë para se të largohej në vitin 2012.

Fat më të mirë nuk patën as tre lojtarët e radhës që e mbajtën fanellën me numër shtatë në Old Trafford: Antonio Valencia, Angel di Maria dhe Memphis Depay. Së bashku, ata i kanë shënuar vetëm gjashtë gola në Premierligë për 90 paraqitje.

Tifozët shpresonin se Sanchezi do ta thyente këtë “mallkim”, kur ai u transferua nga Arsenali gjatë afatit kalimtar të janarit të vitit 2018. Por, ai ka dështuar t’i arrijë pritshmëritë e krijuara për të.

Kiliani ka luajtur 32 herë në ligë për Manchester Unitedi dhe i ka shënuar vetëm tri gola. Kjo është një rënie e madhe për Sanchezin, i cili i shënonte mesatarisht 15 gola për sezon të Premierligës gjatë kohës së tij në Arsenal.

Kështu që, gjithsej, lojtarët që e kanë veshur fanellën me numër shtatë të Manchester Unitedit, pas largimit të Ronaldos, i kanë shënuar vetëm 15 gola në Premierligë.

Për Cristiano Ronaldon është një histori plotësisht tjetër. Ai i shënoi 33 gola në sezonin e tij të parë në La Liga. Që kur u largua nga Old Traffordi, portugezi i ka shënuar 332 gola në liga, 317 më shumë sesa të gjitha shtatëshet e Manchester Unitedi së bashku. 

(Kosova Sot Online)