UEFA: Rashica dhe Kosova, kombinim i zjarrtë

  • 12 June 2019 - 10:05
UEFA: Rashica dhe Kosova, kombinim i zjarrtë

Paraqitja e Milot Rashicës në ndeshjen kundër Bullgarisë nuk i la vetëm kosovarët të mahnitur me yllin e Werder Bremenit, por edhe UEFA-n që e lavdëroi futbollistin përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Twitter.

Skuadra e Bernard Challandes triumfoi me rezultat 3:2 në ndeshjen e së hënës kundër Bullgarisë, e cila u zhvillua në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Në këtë ndeshje, për “Dardanët” më së shumti shkëlqeu Milot Rashica, i cili nga SofaScore u vlerësua me notën 8.0. Pas tij, me notën më të mirë u vlerësua Vedat Muriqi (7.4).

Rashica e shënoi golin e parë në këtë ndeshje dhe e asistoi atë të fundit, mirëpo ajo që i bëri më shumë përshtypje ishte driblimi i Rashicës që çoi deri te goli i dytë, i shënuar nga Vedat Muriqi.

Kosova kaloi në epërsi qysh pas 14 minutave lojë, përmes Rashicës. Megjithatë, pak para fundit të pjesës së parë, bullgarët u përgjigjën me një gol nga Ivelin Popov. Lojtarët e Bullgarisë e filluan pjesën e dytë dhe kaluan në epërsi pas 10 minutave, përmes Christian Dimitrovit.

Megjithatë, “Dardanët” nuk u dorëzuan përkundër që bullgarët ua kishin përmbysur rezultatin. Puna e tyre u shpërblye në minutën e 64-të të ndeshjes, kur Muriqi realizoi me kokë, pas një harkimi të mirë nga Benjamin Kololli.

Përderisa trajneri Challandes tha pas ndeshjes se ai do të kishte qenë i kënaqur edhe vetëm me një pikë nga kjo ndeshje, djemtë e tij në këtë ndeshje u siguruan që ata t’i marrin të tri pikët në dispozicion, pasi që Elbasan Rashani dhe Rashica kombinuan për ta shënuar golin e fitores në minutën e 92-të të ndeshjes. 

(Kosova Sot Online)