Mbrojtësi i Shqipërisë: Kam lindur në Kosovë, por jemi të gjithë shqiptarë

  • 12 June 2019 - 10:36
Mbrojtësi i Shqipërisë: Kam lindur në Kosovë, por jemi të gjithë shqiptarë

Pas fitores me rezultat 2:0 kundër Moldavisë, mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Ardian Ismajli, bëri të ditur se, përkundër që ka lindur në Kosovë, ai e përfaqëson Kombëtaren kuqezi pasi që të gjithë janë shqiptarë.

Ardian Ismajli kishte qenë pjesë e ekipi kombëtar të Kosovës U-21 dhe më pas kishte debutuar edhe për ekipin i parë, më 29 maj të vitit 2018. Këtë debutim, që ia dha trajneri Bernard Challandes, ai e bëri pikërisht në ndeshjen miqësore kundër Shqipërisë, që Kosova e fitoi me rezultat 3:0.

Megjithatë, më vonë ai vendosi që ta vazhdojë karrierën me Kombëtaren e Shqipërisë. Pasi që ndeshja e vetme që e kishte zhvilluar për Kosovën ishte miqësore, FIFA ia lejoi atij ndërrimin e ekipit kombëtar.

22-vjeçari që luan për Hajduk Splitin debutoi me Shqipërinë më 17 nëntor të vitit 2018 dhe që nga atëherë i ka bërë gjithsej katër paraqitje.

“Zëvendësimet bënë të vetën, gjithë varet nga ekipi. Islanda ka fituar me Turqinë, tani jemi më afër Turqisë dhe kemi ndeshjen direkte”, ka thënë Ismajli për RTSH.

“Kosova është vendi ku kam lindur, por jemi të gjithë shqiptarë. Kemi pasur punë në mbrojtje, kanë bërë shumë lëvizje. Duhet të lëviznim gjithë kohën për të mbyllur hapësirat”.

Shqipëria garon në Grupin H të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, ndërsa Kosova në grupin A. Kualifikimi përmes grupeve është mundësia e vetme e Shqipërisë për të marrë pjesë në EURO 2020, ndërsa Kosova mund ta sigurojë një vend në atë garë edhe përmes play-offs për kualifikim.

(Kosova Sot Online)