De Ligt afër transferimit në PSG, menaxheri i tij mban takim në Paris

  • 12 June 2019 - 15:04
De Ligt afër transferimit në PSG, menaxheri i tij mban takim në Paris

Spekulimet për të ardhmen e kapitenit te qendërmbrojtësit të Ajaxit, Matthijs de Ligt, po vazhdojnë ende.

Lajmet e fundit që vijnë nga Spanja thonë se menaxheri i Matthijs de Ligtit, Mino Raiola, ishte në Paris mëngjesin e së mërkurës për të mbajtur bisedime me drejtuesit e Paris Saint-Germainit për ta transferuar holandezin.

Gazetari i Sky Sports, Gianluca di Marzio, raporton se Raiola u takua me drejtorin sportiv të PSG-së, Leonardon, i cili ia bëri një ofertë konkrete menaxherit të kapitenit të Ajaxit. De Ligti raportohet se nuk është i bindur nga oferta dhe kushtet që Barcelona ia ka ofruar atij. Për këtë arsye, PSG-ja po tenton ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe t’i sigurojë shërbimet e holandezit për sezonin e ardhshëm.

Sport gjithashtu raporton se gjiganti i La Ligës është i zemëruar me De Ligtin për shkak të hezitimit të tij për ta marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij dhe drejtuesit katalonas nuk janë të gatshëm të shtyhen për para me PSG-në.

Barcelona kishte pritur se do ta kishte të lehtë ta transferonte De Ligtin në Camp Nou këtë verë. Megjithatë, pas humbjes së Holandës kundër Portugalisë në finale të Ligës së Kombeve, 19-vjeçari tha se ai ende s’ka vendosur për të ardhmen e vet.

Barcelona dhe PSG-ja janë dy ndër katër klubet që kanë shprehur shumë interesim për ta transferuar De Ligtin pas paraqitjeve të tij mbresëlënëse gjatë sezonit 2018/19. Edhe Juventusi e edhe Manchester Unitedi janë të interesuar për holandezin.

Megjithatë, sipas Di Marzios, kampioni francez ka më së shumti mundësi të bëhet klubi i ri i qendërmbrojtësit të talentuar.

(Kosova Sot Online)