Perez e komenton sezonin e Real Madridit: Do të reagojmë fuqishëm

  • 12 qershor 2019 - 15:53
Perez e komenton sezonin e Real Madridit: Do të reagojmë fuqishëm

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, e shfrytëzoi prezantimin e sulmuesit të ri, Luka Jovicit, për ta zbuluar projektin e ri ambicioz që dëshiron ta vë në veprim pas dështimit në sezonin 2018/19.

Sezoni 2018/19 nuk përfundoi ashtu siç e kishte pritur Florentino Perez, e as tifozët e Real Madridit. Pas largimit të Cristiano Ronaldos, i cili u transferua në Juventus, Real Madridi hyri në një lloj krize.

Klubi spanjoll mbeti shumë prapa Barcelonës në garën për titullin e La Ligës, dhe sezonin në këtë ligë e mbylli në pozitën e tretë. Për më tepër, Barcelona ia shkatërroi ëndrrat edhe për titullin e Kupës së Mbretit, duke i mposhtur madrilenët në gjysmëfinale.

Në anën tjetër, Real Madridi, që e kishte fituar titullin e Ligës së Kampionëve gjatë tri sezoneve paraprake, u trondit edhe në skenën evropiane. Ajaxi e eliminoi klubin madrilen në fazën e 1/8 të finales, duke e përmbysur rezultatin në mënyrë mahnitëse në “Santiago Bernabeu”.

“Ne duam ta zbulojmë para juve fillimin e projektit të ri për sezonin e ardhshëm, bashkë me të gjithë tifozët e Real Madridit. Duhet të punojmë shumë për ta arritur qëllimin e realizimit të ëndrrave për tifozët tanë”, tha Perez.

“Ky nuk ishte viti që po e prisnim dhe do të reagojmë fuqishëm dhe në mënyrë vendimtare në kërkim të fiksimit tonë historik, që është fitorja. Ky klub nuk dorëzohet kurrë dhe ne do të dëshmojmë këtë gjë”.

(Kosova Sot Online)