Ferland Mendy, nga karroca te futbollist i Real Madridit

  • 13 June 2019 - 09:04
Ferland Mendy, nga karroca te futbollist i Real Madridit

Lojtari më i ri i Real Madridit e kishte kaluar një vit jashtë fushës së blertë për shkak se një lëndim në ijë kishte çuar deri te artriti. Që prej sezonit të kaluar, ai po e përfaqëson edhe Francën.

Ferland Mendy i mbush 24 vjet të shtunën. Mbrojtësi francez vjen nga një familje modeste – prindërit e tij kanë origjinë afrikane, nga Guinea dhe Senegali.

Sezoni i kaluar me Olympique Lyon ishte më i miri në karrierën e tij deri më tani; Ai i bëri gjithsej 55 paraqitje në të gjitha garat, duke i shënuar tri gola dhe duke i asistuar edhe tri të tjera.

Mirëpo, gjërat kishin qenë shumë më të vështira për Mendyn para një dekade…

Problemet shëndetësore në adoleshencë

Ferland iu bashkua akademisë së PSG-së si një talent nëntëvjeçar. Ëndrra e tij ishte që të bëhej si heroi i tij, Ronaldinho. Por, vetëm pas disa vjetëve në Paris, ai e lëndoi ijën e tij dhe ky lëndim bëri që ai të sëmurej me artrit të ijës.

Ai mbeti jashtë fushave të blerta për një vit. Tre muajt e parë ai i kishte ijët e këmbët në gips, ndërsa tre muaj të tjera i kaloi duke u trajtuar në spitalin Necker Enfants Malades, ku mjekët i thanë se s’do të mundë të luante futboll kurrë më.

Aty ai mësoi se si ta përdorte karrocën. Pasi u largua nga spitali, ai u transferua në Bullion për një proces rikuperimi të gjatë e të dhimbshëm – fillimisht duke mësuar se si të ecte sërish, duke i rindërtuar muskujt dhe në fund duke u kthyer në futbollit, duke ia dëshmuar kështu mjekëve se e kishin pasur gabim.

 Paris – Le Havre – Lyon

Pasi u rikuperua plotësisht, Mendy u largua nga PSG-ja dhe shkoi në Mantois 78, një klub me bazë në rrethinat e kryeqytetit francez. Aty ai e dëshmoi jo vetëm që ishte rikuperuar plotësisht, por edhe se ishte më i fortë për shkak të lëndimit të tij.

Ai u vërejt nga Le Havre, të cilët e transferuar në qershor të vitit 2013. Ky ishte një hap përpara për adoleshentin, i cili ishte ndër lojtarët më të talentuar në futbollin francez. Zhvillimi i tij nuk mbeti pa u vërejtur nga Lyoni, që e transferuar atë për pesë milionë euro në qershor të vitit 2017, me kontratë pesëvjeçare.

Me Lyonin, ai e mori vëmendjen e tifozëve të futbollit kur trajneri Bruno Genesoi vendosi ta sjellë atë gjatë ndeshjes së Ligës së Evropës kundër CSKA Moskës.

Debutimi me Francën

Këtë sezon ai e realizoi një tjetër ëndërr të tij, duke e bërë paraqitjen e parë për Francën. Ai e bëri debutimin e tij në takimin me Uruguain në nëntor, duke luajtur në vend të Benjamin Mendyt të lënduar.

Për Ferlandin, ky ishte shpërblimi për punën e madhe dhe për të gjithë dhimbjen e lotët që ai i kishte derdhur gjatë viteve të adoleshencës. Tani ai është me Real Madridin e Zinedine Zidanit dhe nëse gjërat shkojnë në të njëjtën rrjedhë, ai mund ta mbajë pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë edhe me Francën në EURO 2020.

(Kosova Sot Online)