Për herë të parë, pushim dimëror edhe në Premierligë

  • 13 June 2019 - 09:07
Për herë të parë, pushim dimëror edhe në Premierligë

Orari i ndeshjeve të sezonit 2019/20 të Premierligës do të publikohet sot. Në këtë sezon do të jetë një ndryshim i madh: klubet e Premierligës do të kenë pushim dimëror për herë të parë në histori.

Pushimi dyjavor i dimrit do të mbahet çdo sezon duke filluar nga 2019/20, pasi që për këtë gjë janë marrë vesh organet qeverisëse të futbollit anglez. Ky pushim do të mbahet në shkurt dhe është bërë me qëllim që klubet të kenë gjasa më të mira për të triumfuar në garat e mëdha.

Ky pushim do të lëvizet gjatë muajit shkurt, në atë mënyrë që të mbetet mes të dy fundjavave ku zhvillohen ndeshje të Premierligës, nga pesë të tilla.

Orari i ngjeshur i ndeshjeve në Premierligës, veçanërisht gjatë kohës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, pëlqehet shumë nga tifozët e futbollit dhe televizionet. Mirëpo, pikërisht ky orar është fajësuar për dështimet e Anglisë në Kupa të Botës e në Kampionatet Evropiane.

Pushimi dhjetëditor bën që Premierliga të ketë orar të ngjashëm me ligat e tjera të mëdha të Evropës, si Gjermania, Italia dhe Spanja. Kjo besohet se do t’u ndihmojë lojtarëve edhe në aspektin mendor, edhe në atë fizik.

Spanja dhe Gjermania kanë shijuar suksese në skenën ndërkombëtare gjatë kohës së fundit, ndërsa një studim i UEFA-s, i publikuar në vitin 2013, zbuloi se një lojtar ka shumë më shumë mundësi të lëndohet gjatë tre muajve të fundit të Premierligës sesa të ligave të tjera evropiane.

Federata e Futbollit e Anglisë është pajtuar që ndeshjet e rundit të pestë të FA Cup të zhvillohen në mesjavë, ndërsa ndeshjet kthyese të këtij rundi nuk do të zhvillohen më. Nëse koha e rregullt e ndeshjes së parë përfundon baras, ndeshja shkon në kohën shtesë dhe penallti.

Ndeshjet kthyese të FA Cup në rundin e tretë, që shërbejnë si burim i shumënevojshëm financiar për klubet më të vogla, do të vazhdojë të aplikohet. 

(Kosova Sot Online)