Vëllai i Edi Ramës dhe Gaz Demi do blejnë klubin e njohur italian

  • 13 June 2019 - 13:45
Vëllai i Edi Ramës dhe Gaz Demi do blejnë klubin e njohur italian

Salernitana mund të ketë pronar shqiptar në të ardhmen. Lajmi vjen nga Italia, ku raportohet se pronari i klubit të Partizanit, Gazmend Demi dhe drejtori i klubit, Olsi Rama, po negociojnë që të blejnë Salernitanën.

Ky klub është në pronësi të Klaudio Lotitos, që zotëron edhe Lacion ku drejtor i përgjithshëm është Igli Tare. Sipas portalit www.salernogranata.it, janë dy grupe që interesohen për të blerë Salernitanën dhe njëri prej tyre është shqiptar.

“Grupi i parë që interesohet është italian, ndërsa grupi i dytë është shqiptar. Ky i fundit kryesohet nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit shqiptar dhe aktualisht drejtor i përgjithshëm i Partizanit të Tiranës, që këtë sezon arriti të shpallej kampion pas 20 vitesh. Presidenti i klubit shqiptar, përveç të tjerash është edhe mik i ish-drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, Luçiano Moxhi. Grupi i shqiptarëve në ditët në vijim pritet që të formulojë një ofertë konkrete. Me 16 milionë euro marrëveshja mund të mbyllet, ndonëse në muajt e kaluar Lotito pat refuzuar disa propozime konkrete për shitjen e klubit”, shkruan portali salernogranata.it.

(Kosova Sot Online)