Trajneri i Brazilit: Mediat flasin për Neymarin më shumë sesa ne

  • 14 June 2019 - 08:16
Trajneri i Brazilit: Mediat flasin për Neymarin më shumë sesa ne

Para se të fillojë turneu i Kupës së Amerikës në Brazil, trajneri i ekipit kombëtar brazilian, Tite, e ka komentuar mungesën e Neymarit të lënduar, duke thënë se mediat flasin më shumë për të sesa stafi i Brazilit.

Brazili do ta nisë rrugëtimin në Kupën e Amerikën me ndeshjen kundër Bolivisë në Sao Paulo të premten, pa yllin e skuadrës, Neymar, për shkak të një lëndimi të kyçit të këmbës.

Neymari – i cili i ka mohuar akuzat për përdhunim të shtruara ndaj tij në një hetim që ende po vijon – mbeti jashtë Kupës së Amerikës pasi që i këputi ligamentet e kyçit të këmbës së djathtë gjatë ndeshjes miqësore të javës së kaluar kundër Katarit.

Sulmuesi i Paris Saint-Germainit ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave para ndeshjes kundër Bolivisë në Grupin A, përkundër që ai nuk do të jetë pjesë e skuadrës që do të luajë në këtë ndeshje.

“Më shumë flitet për Neymarin në media sesa që flasim ne brenda skuadrës. Brenda skuadrës, ne jemi të përqendruar në përgatitjet tona. Nuk do të doja të isha kurrë në këtë situatë, të luaja pa Neymarin, njëri ndër tre lojtarët më të mirë në botë, por duhet të përgatitemi”, ka thënë Tite.

Brazili synon ta fitojë këtë verë titullin e nëntë të Kupës së Amerikës në histori dhe të parin që nga viti 2007, pas eliminimit në fazën e grupeve në vitin 2016.

Brazili i Tites – që e turpëroi Hondurasin me fitore 7:0 së fundi, verën e kaluar arriti deri në fazën çerekfinale të Kupës së Botës, që u zhvillua në Rusi.

(Kosova Sot Online)