Arrihet marrëveshja, Sarri në Juventus

  • 14 June 2019 - 09:15
Arrihet marrëveshja, Sarri në Juventus

Chelsea ka arritur marrëveshje në parim me kampionin e Serisë A, Juventusin, që trajneri i klubit londinez, Maurizio Sarri, ta vazhdojë karrierën e tij në “Allianz”, vetëm një vit pasi u emërua në “Stamford Bridge”.

Marrëveshja mes dy klubeve u arrit gjatë negociatave mes zyrtarëve të dy palëve gjatë orëve të vona të së enjtes. BBC raporton se zyrtarizimi mund të bëhet qysh të premten.

Besohet se dy palët janë pajtuar që Chelseat t’i paguhet kompensim prej pesë milionë eurosh.

Sarri u emërua trajner i Chelseat në korrik të vitit 2018, kur u largua nga Napoli. Ai i drejtoi londinezët sezonin e kaluar, kur u renditën në pozitën e tretë në tabelën e Premierligës dhe e fituan titullin e Ligës së Evropës.

Përkundër që në korrik nënshkroi kontratë trevjeçare, Sarri do të bëhet trajneri i nëntë i cili largohet nga Chelsea para se t’i përfundojë kontrata, nën drejtimin e pronarit Roman Abramovich.

Gjatë këtij sezoni debutues të 60-vjeçarit italian në Stamford Bridge kishte vazhdimisht spekulime për të ardhmen e tij në pozitën e trajnerit, pasi që tifozët e Chelseat shpeshherë e shprehën pakënaqësinë me taktikat dhe zgjedhjet e skuadrës së Sarrit.

Njëra ndër momentet më të këqija të sezonit 2018/19 ishte në shkurt, kur portieri Kepa Arrizabalaga e sfidoi autoritetin e trajnerit duke refuzuar të zëvendësohet në finalen e Carabapo Cup në Wembley, pak para se Chelsea të mposhtej në penallti nga Manchester City.

Por, Sarri arriti ta fitojë trofeun e tij të parë si trajner me fitoren 4:1 kundër Arsenalit në maj, në finale të Ligës së Evropës, dhe pas ndeshjes tha se e meritonte të qëndronte me klubin.

Chelsea për momentin e ka të ndaluar të transferojë futbollistë për dy afatet e ardhshme kalimtare për shkak të dënimit nga FIFA. Chelsea e ka apeluar këtë vendim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Ylli i skuadrës së tyre, Eden Hazard, u transferua në Real Madrid për një shumë që mund të kapë vlerat 150 milionë funte.

Chelsea nuk ka kaluar që dënimi i FIFA-s të pezullohet deri sa CAS-i ta marrë vendimin përfundimtar, duke bërë kështu që përforcimi i tyre i vetëm për sezonin tjetër të jetë sulmuesi amerikan, Christian Pulisic, të cilin e blenë për 58 milionë funte nga Borussia Dortmundi në janar. Ai e kaloi pjesën e dytë të sezonit 2018/19 i huazuar në Dortmund.

Juventusi ka mbetur pa trajner pasi që Massimiliano Allegri u largua në fund të sezonit të kaluar, pasi e kishte fituar titullin e ligës italiane në të pestë sezonet e tij me bardhezinjtë, që nga viti 2014. 

(Kosova Sot Online)