UEFA propozon ndryshime për formatin e Ligës së Kombeve

  • 14 June 2019 - 09:16
UEFA propozon ndryshime për formatin e Ligës së Kombeve

UEFA është duke e shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve të formatit të Ligës së Kombeve, që do të bënte që Gjermania, dhe ekipet e tjera kombëtare që kanë rënë nga Liga A, t’i shmanget rënies në Ligën B.

Propozimi i ri është që nga katër skuadra të luajnë në secilin grup të Ligës A, duke e ulur kështu edhe më shumë numrin e ndeshjeve miqësore.

Përkundër që numri i ndeshjeve miqësore të zhvilluara është ulur që kur filloi kjo garë vitin e kaluar, Sky Sports raporton se Kombëtaret e mëdha vazhdojnë të jenë të shqetësuara për këto ndeshje me më pak interes.

Gjermania i ka zhvilluar tri ndeshje miqësore që kur është formuar Liga e Kombeve, duke ngjallur interesim vetëm te 25 mijë tifozë për ndeshjet në shtëpi kundër Serbisë dhe Perusë.

Në krahasim, ndeshja hapëse e Ligës së Kombeve kundër Francës u përcoll nga 67 mijë tifozë në stadium.

Nga ky propozim do të përfitonte edhe Anglia pasi që do të zhvillojë më shumë ndeshje garuese kundër Kombëtareve të mëdha, ndërsa ndryshimet potenciale mund t’i ndihmojnë edhe Irlandës Veriore dhe Irlandës, që mund t’i shmangen rënies nga Liga B në Ligën C.

“UEFA është duke i shqyrtuar vazhdimisht shumë opsione për ta përmirësuar këtë garë, përfshirë këtu ndryshime potenciale te formatet e tyre”, ka thënë një zëdhënës për Sky Sports News.

“UEFA nuk ka pasur presion nga asnjë anëtare e saj që ta ndryshojë formatin aktual të Ligës së Kombeve dhe ende nuk është marrë asnjë vendim sa i përket kësaj çështjeje”.

Gjermania përfundoi në pozitën e fundit në grupin me Holandën dhe Francën dhe që nga atëherë Mats Hummels, Thomas Muller dhe Jerome Boateng e kanë zyrtarizuar pensionimin. 

(Kosova Sot Online)